Vazhdon gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në sallën e gjykimit në Idrizovë, sot pritet të vazhdojë procesi gjyqësor për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan. Rasti ndodhet...
Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, në sallën e gjykimit në Idrizovë, sot pritet të vazhdojë procesi gjyqësor për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan.
Rasti ndodhet në fazën e procedurës së provave dhe drejtohet nga gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Në seancën e kaluar, ekspertët e ndërtimtarisë iu përgjigjën pyetjeve të kryqëzuara të mbrojtjes. Në fokus të ekspertizës ishin materialet e përdorura në objekt, veçanërisht sfungjeri poliuretanik për izolim akustik, si dhe rikonstruksionet dhe ndërhyrjet në konstruksionin e objektit.
Profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Shkup, Goran Markovski, në cilësinë e ekspertit, iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së të akuzuarit të parë, Dejan Jovanov, të përfaqësuar nga avokatja Ivana Kocevska.
Sipas ekspertizës, në tavanin e varur të objektit kishte sfungjer poliuretanik. Markovski sqaroi se në objekt nuk janë gjetur mbetje të sfungjerit, pasi ai ishte djegur plotësisht, por përfundimi i ekspertizës bazohet në fotodokumentacion, incizime, gjetjet e ekspertizave të tjera dhe gjurmët e gjetura në objekt.
Ekspertët shqyrtuan edhe ndërhyrjet ndërtimore të kryera gjatë rikonstruksionit në vitin 2012, përfshirë përforcimin e konstruksionit ndërmjet kateve me trarë çeliku. Markovski sqaroi se nuk bëhej fjalë për pllakë themeli, por për pllakë dyshemeje, pasi objekti nuk kishte pllakë themeli.
Mbrojtja kontestoi edhe mënyrën se si ishte përcaktuar periudha kur ishte kryer kjo ndërhyrje. Markovski tha se ekipi i ekspertizës kishte marrë të dhëna nga pronari i objektit, Grozdani, si dhe ishte mbështetur në përfundimet e punës së përbashkët të ekipit.
I pyetur nëse ekziston dëshmi për periudhën e saktë kur ishte kryer ndërhyrja, Markovski u përgjigj se “nuk mund të gjeni dëshmi më të madhe sesa deklarata e atij që e ka bërë”.
Gjatë seancës u shqyrtuan edhe çështje që lidhen me pronësinë e pjesëve të objektit, kontratën e qirasë dhe ndërtimin e dy galerive. Mbrojtja pyeti gjithashtu nëse galeria në anën e majtë mbi skenë lidhej në të njëjtën pikë me konstruksionin ndërmjet kateve në përdhesë.
Markovski tha se nuk ishte i sigurt për këtë, por theksoi se galeritë, të shtuara në vitin 2012 dhe të hequra në vitin 2024, kishin ndikuar në elementet konstruktive të objektit.
Me përfundimin e ekspertizës ndërtimore, të përgatitur nga një ekip i Fakultetit të Ndërtimtarisë pranë UKIM-it, dhe me marrjen në pyetje të ekspertëve që e kanë përgatitur atë, pritet të përfundojë administrimi i provave të Prokurorisë. Më pas, mbrojtja pritet të fillojë me paraqitjen e provave të saj.
Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNA. Në tragjedi humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u lënduan. Ngjarja konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e afërt të vendit.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.