VLEN: Gjashtë policë të suspenduar, askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë!

VLEN i përgjigjet kërkesës së BDI-së për dorëheqje: “Për 20 vjet ishit në pushtet, por për rastet që shqiptarët nuk i harrojnë, heshtët” Gjashtë policë janë suspenduar pas dhunës së ushtruar ndaj dy të rinjve nga Saraji, ndërsa ndaj tyre...

tetor 12, 2026 - 16:30
VLEN: Gjashtë policë të suspenduar, askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë!

VLEN i përgjigjet kërkesës së BDI-së për dorëheqje: “Për 20 vjet ishit në pushtet, por për rastet që shqiptarët nuk i harrojnë, heshtët”

Gjashtë policë janë suspenduar pas dhunës së ushtruar ndaj dy të rinjve nga Saraji, ndërsa ndaj tyre kanë nisur procedurat disiplinore. Kështu thuhet në reagimin e VLEN-it, i cili vlerëson se Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar në kohë rekord, ndërsa procedurat e mëtejshme i takojnë Prokurorisë.

“Dhuna policore nuk ka vend në vendin tonë. Uniforma është për ta mbrojtur qytetarin, jo për ta rrahur. Asnjë dyshim ndaj një personi nuk e arsyeton keqtrajtimin e tij”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Sipas këtij koalicioni, pas publikimit të pamjeve të dhunës, opozita shqiptare është përpjekur ta shndërrojë rastin në betejë politike dhe t’i japë atij ngjyrim etnik.

“Suspendimi i gjashtë policëve është dëshmi se sistemi funksionon. Kjo është fitore e integritetit përballë manipulimeve. Fitore e arsyes së shëndoshë ndaj përpjekjeve për të nxitur tensione ndëretnike”, thekson VLEN.

Duke iu përgjigjur kërkesës së BDI-së për dorëheqjen e tij, VLEN rikujton rastet e rënda që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së mëparshme, duke akuzuar BDI-në për heshtje dhe mungesë përgjegjësie.

“Për njëzet vjet ishit në pushtet. Gjatë qeverisjes suaj ndodhën ngjarje makabre, shumë prej të cilave lidhen me veprimet e policisë dhe të institucioneve të drejtësisë. Ngjarje që shqiptarët nuk i harrojnë”, thuhet në reagim.

Në këtë kontekst, VLEN përmend rastet “Sopoti” dhe “Monstra”, djegien e dyqaneve shqiptare, vdekjen e Rexhail Qerimit në burg, vrasjen e Harun Aliut dhe të Xhemail Rexhepit, të njohur si Komandant Shqiponja, si dhe përdorimin e termit “indijanci” ndaj shqiptarëve.

“Për të gjitha këto raste, dhe shumë të tjera, çka bëtë ju? Asgjë. Heshtët!”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Në fund, koalicioni qeveritar deklaron se periudha kur, sipas tij, institucionet përdoreshin për interesa politike ka përfunduar.

“Koha e rasteve të montuara, e vrasjeve, e hajdutërive dhe e skenarëve për hesape politike ka marrë fund me BDI-në në opozitë. Ka marrë fund edhe koha kur dikush mendonte se mund të bënte ç’të donte pa dhënë llogari”, përfundon reagimi i VLEN-it. Gazeta Flaka

The post VLEN: Gjashtë policë të suspenduar, askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.