VLEN në bisedime përfundimtare për postet e zëvendësministrave, emërimet priten brenda muajit?!

Koalicioni VLEN vazhdon diskutimet intensive me partnerët e koalicionit qeveritar për harmonizimin e pozicioneve në eshallonin e dytë të pushtetit ekzekutiv. Bisedimet po përqendrohen veçanërisht në plotësimin e vendeve që kanë mbetur boshe...

tetor 12, 2026 - 11:30
VLEN në bisedime përfundimtare për postet e zëvendësministrave, emërimet priten brenda muajit?!

Koalicioni VLEN vazhdon diskutimet intensive me partnerët e koalicionit qeveritar për harmonizimin e pozicioneve në eshallonin e dytë të pushtetit ekzekutiv. Bisedimet po përqendrohen veçanërisht në plotësimin e vendeve që kanë mbetur boshe, ndërsa të gjitha emërimet e reja pritet të përmbyllen zyrtarisht deri në fund të këtij muaji, përcjell INA.

Burime nga koalicioni bëjnë të ditur se emrat e kandidatëve potencialë po diskutohen ende aktivisht mes partnerëve të shumicës parlamentare. Megjithatë, sipas të gjitha paralajmërimeve, nuk priten lëvizje apo ndryshime të mëdha strukturore në kabinet, përpos dy emërimeve të reja kryesore në dikasteret e rëndësishme.

Ndryshimet e paralajmëruara vijnë si rrjedhojë e riorganizimit të mëparshëm të kabinetit qeveritar, ku VLEN synon të ruajë balancin politik brenda koalicionit duke marrë drejtimin e dy posteve të zëvendësministrave — specifikisht në dikasteret e Shëndetësisë dhe të Politikës Sociale.

Për të realizuar këto emërime pa ndryshuar peshën e përgjithshme politike në qeveri, parashikohet një rokadë ku koalicioni VLEN do të lirojë dy pozita ekzistuese:postin e zëvendësministrit në Bujqësi, i cili pritet t’i kalojë VMRO-DPMNE-së si dhe postin e zëvendësministrit në Kulturë, i cili do t’i takojë VMRO-DPMNE-së ose lëvizjes ZNAM (pasi ministri i linjës është nga radhët e VLEN-it).

Nga ana tjetër, VLEN jozyrtarisht po bisedon për të marr një post edhe në Energjetikë dhe Transformim Digjital.

Kryeministri Hristijan Mickoski ka konfirmuar më parë se visa e plotë e eshallonit të dytë dhe zyrtarizimi i emrave do të përmbyllen përfundimisht gjatë pjesës së dytë të muajit tetor.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.