VLEN shpall zero tolerancë ndaj dhunës në shkolla, propozon grupe pune në çdo komunë (VIDEO)

VLEN-i ka prezantuar një iniciativë për një qasje të përbashkët në parandalimin dhe trajtimin e dhunës në shkolla, me përfshirjen e komunave, shkollave, psikologëve, mësimdhënësve dhe prindërve. Në një konferencë për media, Teuta Idrizi nga...

shtator 4, 2026 - 17:00
VLEN shpall zero tolerancë ndaj dhunës në shkolla, propozon grupe pune në çdo komunë (VIDEO)

VLEN-i ka prezantuar një iniciativë për një qasje të përbashkët në parandalimin dhe trajtimin e dhunës në shkolla, me përfshirjen e komunave, shkollave, psikologëve, mësimdhënësve dhe prindërve.

Në një konferencë për media, Teuta Idrizi nga VLEN-i, e cila vjen nga sektori i arsimit dhe ushtron detyrën e drejtoreshës së shkolle, tha se dhuna mes bashkëmoshatarëve nuk shfaqet papritur dhe se institucionet duhet të reagojnë para se situata të përshkallëzohet.

“Si drejtoreshë shkolle dhe si dikush që çdo ditë punon me nxënës, mësimdhënës dhe prindër, e di se dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve nuk shfaqet papritur. Shenjat shfaqen shumë më herët. Përgjegjësia jonë është t’i dallojmë dhe të veprojmë me kohë”, deklaroi Idrizi.

Ajo bëri të ditur se VLEN-i ka nisur iniciativën për vendosjen e një sistemi të përbashkët për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në shkolla.

“Pikërisht për këtë arsye, VLEN-i nisi iniciativën për vendosjen e një qasjeje të përbashkët për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në shkolla”, tha Idrizi.

Sipas saj, Komuna e Çairit tashmë ka ndërmarrë hapat e parë për krijimin e një platforme që do të bashkojë institucionet lokale, shkollat dhe shërbimet profesionale.

“Komuna e Çairit i ka ndërmarrë hapat e parë për krijimin e një platforme që do t’i bëjë bashkë komunën, shkollat, psikologët, mësimdhënësit dhe prindërit”, u shpreh ajo.

Idrizi tha se kjo qasje synohet të zbatohet edhe në komunat e tjera ku udhëheq VLEN-i, ndërsa ftoi edhe komunat e tjera që t’i bashkohen nismës.

“Synimi është që në çdo komunë të krijohet një grup pune me përfaqësues të komunës, shkollave, shërbimeve profesionale dhe prindërve. Këto grupe do të bashkërendojnë aktivitetet parandaluese dhe reagimin kur paraqitet një rast dhune”, theksoi Idrizi.

Duke shpjeguar konceptin e “zero tolerancës”, ajo tha se kjo nuk duhet të kufizohet vetëm në ndëshkimin e autorëve pas një incidenti.

“Për VLEN-in, zero tolerancë nuk do të thotë vetëm ndëshkim pas incidentit. Do të thotë të mos e heshtim dhunën, të mos e relativizojmë bullizmin dhe të mos presim që një fëmijë të bëhet viktimë për të reaguar”, deklaroi Idrizi.

Ajo theksoi se shkollat duhet të jenë hapësira të sigurta për fëmijët.

“Shkolla duhet të jetë vend ku fëmijët mësojnë, zhvillohen dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre, jo vend ku ndihen të frikësuar apo të pambrojtur”, tha Idrizi.

“Në Çair e nisëm këtë proces. Do ta vazhdojmë në komunat ku udhëheqim dhe do të punojmë që kësaj nisme t’i bashkohen edhe komunat e tjera”, përfundoi ajo.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.