Partia në pushtet akuzon opozitën për krijimin e perceptimeve të shtrembëruara dhe përhapjen e panikut lidhur me situatën në sistemin bankar.

VMRO-DPMNE i është kundërpërgjigjur reagimeve të LSDM-së lidhur me rastin “Alta Banka”, duke theksuar se vendimmarrja për çështjet që kanë të bëjnë me sistemin bankar është në kompetencë të Bankës Popullore dhe guvernatorit, e jo të partive politike apo institucioneve të tjera.

Nga partia në pushtet thonë se LSDM-ja duhet të bëjë dallimin ndërmjet kompetencave të institucioneve shtetërore, duke kujtuar se Banka Popullore është institucioni përgjegjës për vendimet që lidhen me sistemin bankar.

„Është e qartë se në kohën e tyre nuk kishte vija ndarëse në ushtrimin e pushtetit, por ja një rikujtim: Banka Popullore dhe guvernatori janë institucioni që merr vendime brenda kompetencave të veta për sistemin bankar“, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Duke folur për rastin “Alta Banka”, VMRO-DPMNE e cilëson atë si problem të importuar, ndërsa akuzon LSDM-në se po përpiqet të krijojë pasiguri te qytetarët përmes deklaratave që, sipas saj, nuk mbështeten në fakte.

„Alta Banka është problem i importuar dhe LSDM-ja nuk mund të japë deklarata të tilla pa bazë. Së pari, nuk kanë kredibilitet, ndërsa së dyti, duket se nuk i njohin as kompetencat themelore të institucioneve“, deklarojnë nga partia.

VMRO-DPMNE pretendon se përfaqësues të LSDM-së po përpiqen të krijojnë perceptimin se problemi mund të përhapet edhe në bankat e tjera, ndonëse, sipas partisë në pushtet, institucionet kompetente po komunikojnë në mënyrë transparente dhe po punojnë për një zgjidhje.

Në reagim përmendet edhe guvernatori i Bankës Popullore, për të cilin VMRO-DPMNE thotë se ka siguruar qytetarët se nuk do të pësojnë dëme.

Partia në pushtet e akuzon gjithashtu LSDM-në për përdorimin e çështjeve me interes publik për përfitime politike dhe për përhapjen e, siç e quan ajo, narrativave që krijojnë ndjenjë jostabiliteti.

„LSDM-ja është simbol i jostabilitetit, kriminalitetit dhe aferave dhe me vetëdije përdor tema me interes publik për të krijuar ndjenjë pasigurie përmes pretendimeve të pabazuara“, thuhet në reagim.

Në fund, VMRO-DPMNE i bën thirrje LSDM-së të ndalojë, sipas saj, përpjekjet për përfitime politike nga rasti, duke theksuar se zgjidhja duhet të kërkohet përmes institucioneve kompetente.

Burimi: Reagimi i VMRO-DPMNE-së. Përgatiti: Flaka Media.

The post VMRO-DPMNE i kundërpërgjigjet LSDM-së për rastin “Alta Banka”: Banka Popullore dhe guvernatori janë kompetentë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.