VMRO-DPMNE ka akuzuar LSDM-në dhe BDI-në se qëndrojnë pas interesave biznesore në prapavijën e rastit “Alta Banka”, duke kërkuar përgjigje nga kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, për rolin e partisë së tij në vitin 2023, kur, sipas partisë në pushtet, u krijuan kushtet për hyrjen e bankës në tregun maqedonas.
Nga VMRO-DPMNE thonë se në qershor, një kompani e lidhur me rrjetin afarist familjar të Ali Ahmetit kishte marrë një kredi prej pesë milionë eurosh nga Davor Macura, biznesmen nga Beogradi, ndërsa në shtator, dhëndri i Ahmetit, përmes kompanisë “AS Senjak”, ia kishte shitur aksionet po të njëjtit biznesmen.
“Për në qershor, rrjeti afarist familjar i Ahmetit merr kredi prej pesë milionë eurosh nga Macura nga Beogradi. Ndërsa në shtator, dhëndri i Ahmetit, përmes ‘AS Senjak’, ia shet aksionet po këtij Macura, për të hyrë në ‘Alta Banka Maqedoni’ dhe për të arkëtuar miliona”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Sipas partisë në pushtet, kompania e lidhur me dhëndrin e Ali Ahmetit kishte pasur në pronësi aksione në “Stopanska Banka” SHA Manastir, të cilat më vonë i ishin shitur Davor Macurës dhe “Alta Banka”-s.
VMRO-DPMNE kërkon që LSDM-ja dhe Filipçe të sqarojnë qëndrimin e tyre ndaj këtyre transaksioneve, duke rikujtuar se, sipas saj, në vitin 2023 nuk kishin ngritur shqetësime për prejardhjen e kapitalit dhe lidhjet afariste që lidhen me hyrjen e bankës në Maqedoninë e Veriut.
“Pse atëherë LSDM-ja nuk kishte problem me prejardhjen e kapitalit dhe marrëdhëniet afariste, ndërsa problemi u shfaq vetëm kur politikisht u bë e përshtatshme të flitet për këtë? Pse Filipçe heshti atëherë? Pse LSDM-ja nuk ngriti pyetje dhe nuk kërkoi përgjegjësi?”, pyet VMRO-DPMNE.
Nga kjo parti vlerësojnë se LSDM-ja nuk mund të kërkojë transparencë nga të tjerët, ndërkohë që shmang përgjigjet për rolin e saj politik në të kaluarën.
“LSDM-ja i detyrohet publikut përgjigje dhe transparencë të plotë. Filipçe dhe LSDM, mjaft me standarde të dyfishta. Së pari përgjigjuni për heshtjen tuaj dhe rolin tuaj në vitin 2023, pastaj mbani leksione për kriminalitetin dhe kapitalin e dyshimtë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Akuzat dhe pretendimet e paraqitura në reagim janë qëndrime të VMRO-DPMNE-së. Deri në publikimin e këtij lajmi, në materialin e dërguar nuk përfshihet një përgjigje nga LSDM-ja, Venko Filipçe apo BDI-ja. Flaka
The post VMRO-DPMNE: Pas rastit “Alta Banka” qëndrojnë interesa biznesore të LSDM-së dhe BDI-së appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




