VMRO-DPMNE pranon humbjen në Bërvenicë, Mickoski: Të vetëm kundër të gjithëve, ata me kartën nacionaliste
VMRO-DPMNE ka pranuar humbjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Komunën e Bërvenicës, por pas rezultatit zgjedhor ka drejtuar akuza ndaj kundërshtarëve politikë, duke pretenduar se fitorja e AKI-së u arrit përmes mobilizimit mbi baza...
VMRO-DPMNE ka pranuar humbjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Komunën e Bërvenicës, por pas rezultatit zgjedhor ka drejtuar akuza ndaj kundërshtarëve politikë, duke pretenduar se fitorja e AKI-së u arrit përmes mobilizimit mbi baza etnike dhe jo përmes programeve dhe projekteve konkrete.
Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në një reagim pas zgjedhjeve, e përshkroi garën si përballje të partisë së tij me të gjithë kundërshtarët politikë.
“Të vetëm kundër të gjithëve. Ne me program zgjedhor dhe koncept, ata me mbështetjen e demografisë, kartën nacionaliste dhe ndonjë ‘trojan’ për të tërhequr vota”, deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se partia ka shënuar rritje të numrit të votave krahasuar me raundin e parë dhe zgjedhjet parlamentare, ndonëse kjo nuk ishte e mjaftueshme për të fituar komunën.
“Rritja e votave nga raundi i parë është e qartë dhe e pastër: nga 3.000 në 4.200 vota, ndërsa në raport me zgjedhjet parlamentare kemi rritje prej 1.300 votash, por për fat të keq jo të mjaftueshme për fitore të plotë”, u shpreh Mickoski.
Ai falënderoi qytetarët që votuan për kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski, por edhe ata që nuk e mbështetën, duke siguruar se të gjithë banorët e Bërvenicës do ta kenë përkrahjen e Qeverisë.
“Faleminderit të gjithë banorëve të Bërvenicës që votuan për ne dhe atyre që nuk votuan për ne. Të gjithë banorët e Bërvenicës do ta kenë mbështetjen e Qeverisë. Një Bërvenicë për të gjithë është më shumë se një koncept, është mënyrë e të vepruarit”, deklaroi kryeministri.
Ndërkohë, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, në një konferencë për media falënderoi qytetarët që mbështetën kandidatin e partisë, duke theksuar se rezultatet e arritura paraqesin rritje të mbështetjes elektorale, pavarësisht humbjes.
Manasievski akuzoi BDI-në se gjatë fushatës përdori retorikë nacionaliste, ndërsa pretendoi se në raundin e dytë kandidati i AKI-së përfitoi nga mbështetja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e LSDM-së, Levicës dhe VLEN-it.
“Derisa ne theksuam fuqinë e unitetit për një Bërvenicë për të gjithë, kundërshtarët tanë e shfrytëzuan maksimalisht nacionalizmin dhe u bënë thirrje qytetarëve të votojnë mbi bazën e përkatësisë etnike, e jo të programit, vizionit dhe projekteve”, deklaroi Manasievski.
Ai kritikoi edhe VLEN-in, duke vlerësuar se ky koalicion e humbi mundësinë për të dëshmuar një qasje tjetër politike nga BDI-ja. Ndërkaq, kandidatët e LSDM-së dhe Levicës i cilësoi si “kuaj trojanë”, duke pretenduar se kandidaturat e tyre kontribuuan në shpërndarjen e votave.
Pavarësisht humbjes, VMRO-DPMNE-ja thotë se do të vazhdojë të mbështesë Komunën e Bërvenicës përmes investimeve qeveritare.
“Të vetëm kundër të gjithëve. E respektojmë rezultatin, ndërsa vullneti i qytetarëve është i paprekshëm”, ishte mesazhi i zëdhënësit të partisë në pushtet.
Kështu, pas fitores së AKI-së dhe Arkin Jahijit, reagimet nga VMRO-DPMNE-ja e zhvendosin debatin politik nga rezultati zgjedhor te interpretimi i tij: nga njëra anë, partia në pushtet flet për mobilizim nacionalist dhe përfshirjen e partive të tjera, ndërsa nga ana tjetër pranon vullnetin e shprehur në kutitë e votimit dhe premton vazhdimin e mbështetjes për komunën.
Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki, sonte në Bërvenicë e uroi kandidatin e BDI-së për kryetar të komunës, Arkin Jahiji, për fitoren në zgjedhje.
Kovaçki deklaroi se diferenca mes Jahijit dhe kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Stojanço Radiçevski, është rreth 200 vota.
“Dëshiroj t’i uroj kundërshtarët që arritën fitore në këtë cikël zgjedhor. Ndonjëherë nuk mund të bësh asgjë kundër shifrave, shifrat janë ato që janë. Ata arritën të sjellin shumë njerëz nga jashtë, të cilët nuk jetojnë këtu, por jashtë kufijve të vendit tonë, megjithatë votuan për kandidatin e BDI-së”, deklaroi Kovaçki.
Deputetja dhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanoska, gjatë një paraqitjeje në edicionin qendror të lajmeve në televizionin Sitel, drejtpërdrejt nga Komuna e Bërvenicës, vlerësoi se koalicioni VLEN nuk arriti të distancohej nga politikat e BDI-së, por në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale u rreshtua pas kandidatit të AKI-së.
Stojanoska theksoi se VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia Jote” në raundin e parë mbështetën kandidatin e tyre, Stojançe Radiçevski, ndërsa VLEN garoi me kandidat të veçantë. Sipas saj, në raundin e dytë VLEN vendosi t’i bashkohej kandidatit të AKI-së, njofton TS.
Ajo kritikoi koalicionin VLEN, duke e akuzuar se në raundin e dytë në Bërvenicë veproi në favor të BDI-së, në vend që të dëshmonte dallimet politike me këtë parti.
“Na vjen keq që VLEN nuk e shfrytëzoi këtë mundësi për të treguar se është ndryshe nga BDI-ja, por veproi njësoj si LSDM-ja dhe E Majta. Mendoj se luajtën rolin e ‘kalit të Trojës’ dhe vepruan në favor të BDI-së, duke i shpërndarë votat nga baza elektorale”, deklaroi Stojanoska.
Sa i përket ndikimit të zgjedhjeve në koalicionin qeverisës, ajo tha se rezultati në Bërvenicë nuk do të përbëjë test për koalicionin, por se testi i vërtetë është realizimi i programit qeveritar, i cili, sipas saj, po zbatohet sipas planifikimeve. Gazeta Flaka
The post VMRO-DPMNE pranon humbjen në Bërvenicë, Mickoski: Të vetëm kundër të gjithëve, ata me kartën nacionaliste appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.