Vrasja e Arlinda Zekajt, flet ish-bashkëshorti: Ndjej keqardhje, jam munduar ta parandaloj
Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, ka shprehur keqardhje për vrasjen e saj, duke deklaruar para trupit gjykues se ishte përpjekur ta parandalonte ngjarjen tragjike. Ndërkohë, ai ka kundërshtuar caktimin e masës së paraburgimit ...
Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, ka shprehur keqardhje për vrasjen e saj, duke deklaruar para trupit gjykues se ishte përpjekur ta parandalonte ngjarjen tragjike. Ndërkohë, ai ka kundërshtuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj tij.
Arlinda Zekaj u vra nga vëllai i Jeton Sylajt, Albert Sylaj, i cili është arrestuar për ngjarjen. Gjatë seancës gjyqësore, ish-bashkëshorti i viktimës ka paraqitur argumentet e tij kundër masës së sigurisë.
“Ndjej keqardhje për këtë që ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”, citohet të ketë deklaruar Sylaj para gjykatës.
Pretendon se djali 12-vjeçar ka nevojë për kujdesin e tij
Në kundërshtimin e masës së paraburgimit, Sylaj ka theksuar se nuk e di se ku ndodhet djali i tij 12-vjeçar dhe se i mituri ka nevojë për përkujdesjen e tij.
Ai ka pretenduar gjithashtu se nuk kishte mundësi të largohej, pasi dokumentet e udhëtimit ose ndodheshin nën kontrollin e autoriteteve, ose ia kishte marrë ish-bashkëshortja.
Prokuroria: Kishte kërcënuar ish-bashkëshorten
Nga ana tjetër, sipas dosjes së Prokurorisë, Sylaj kishte pranuar para prokurorit se i kishte drejtuar fjalë kërcënuese Arlinda Zekajt, duke i lidhur veprimet e tij me pretendimin se po mbronte djalin e tyre.
Sipas dokumenteve, rasti ishte iniciuar më 10 korrik 2026, pasi Zekaj e kishte denoncuar ish-bashkëshortin për dhunë në familje dhe kanosje.
Më 14 korrik, gjatë paraqitjes në stacionin policor, Sylaj kishte zgjedhur të mos jepte deklaratë, duke bërë të ditur se faktet do t’i paraqiste para prokurorit të shtetit.
Pavarësisht kundërshtimeve të tij gjatë seancës, gjykata vendosi t’i caktojë Jeton Sylajt masën e paraburgimit prej një muaji.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.