Vrasjet në “Gjorçe”: Të dyshuarit dyshohet se i pranuan veprat, hetuesit kanë ADN dhe incizime

Detaje të reja dalin nga hetimi për dy grabitjet me pasoja vdekjeje në lagjet Hrom dhe Gjorçe Petrov të Shkupit, ku humbën jetën një 62-vjeçar dhe një 76-vjeçare. Sipas informacioneve të TV Telma, të arrestuarit gjatë marrjes në pyetje në p...

tetor 29, 2026 - 10:01
Vrasjet në “Gjorçe”: Të dyshuarit dyshohet se i pranuan veprat, hetuesit kanë ADN dhe incizime

Detaje të reja dalin nga hetimi për dy grabitjet me pasoja vdekjeje në lagjet Hrom dhe Gjorçe Petrov të Shkupit, ku humbën jetën një 62-vjeçar dhe një 76-vjeçare.

Sipas informacioneve të TV Telma, të arrestuarit gjatë marrjes në pyetje në polici i kanë pranuar veprat. Burime të hetimit bëjnë të ditur se në njërin rast kanë marrë pjesë dy persona, ndërsa në tjetrin tre. I arrestuari i katërt dyshohet se ishte shoferi që i transportonte, por ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për planet e pasagjerëve.

Në automjetin e shoferit janë gjetur një xhaketë dhe sende të tjera që lidhen me grabitjet. Gjithashtu, në shtëpitë e viktimave janë zbuluar gjurmë ADN-je që dyshohet se u përkasin të arrestuarve. Hetuesit disponojnë edhe incizime nga kamerat e sigurisë.

Rasti i parë u zbulua më 22 tetor, kur në një shtëpi në Hrom u gjet i vdekur një 62-vjeçar me shenja dhune. Më 27 tetor, në shtëpinë e saj në Gjorçe Petrov u gjet e vrarë një 76-vjeçare.

MPB-ja konfirmoi arrestimin e katër personave: A.S. (22), H.E. (20) dhe K.A. (58) nga Shkupi, si dhe M.R. (26) nga Strumica. Për ta është kërkuar paraburgim afatshkurtër për kompletimin e provave.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.