Wikipedia korrigjon prezantimin e Hashim Thaçit, largohet cilësimi për krime lufte
Wikipedia ka larguar nga pjesa hyrëse e biografisë së Hashim Thaçit përshkrimin “kriminel lufte i dënuar”, i cili ishte vendosur pranë emrit të ish-presidentit të Kosovës pas aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë. Deri para ndryshimit, fa...


Wikipedia ka larguar nga pjesa hyrëse e biografisë së Hashim Thaçit përshkrimin “kriminel lufte i dënuar”, i cili ishte vendosur pranë emrit të ish-presidentit të Kosovës pas aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë.
Deri para ndryshimit, faqja hapej me fjalinë: “Hashim Thaçi është politikan kosovar dhe kriminel lufte i dënuar”. Ky formulim nuk figuron më.
Tash, fjalia hyrëse e prezanton atë vetëm si “politikan kosovar”, përpara se të përmenden funksionet që Thaçi ka mbajtur si kryeministër, ministër i Jashtëm, zëvendëskryeministër dhe president i Kosovës.
Çështja e procesit gjyqësor nuk është hequr nga Wikipedia. Ajo trajtohet më poshtë në biografi, ku është shtuar shpjegimi për procesin ndaj tij, por pa e përdorur më cilësimin “kriminel lufte i dënuar” si përshkrim të Thaçit në hapje të faqes.
Ndryshimi është bërë pasi formulimi kishte nxitur reagime dhe kundërshtime në Kosovë.
Për ndryshimin ka shkruar edhe profesori i UBT-së, Blerton Abazi, i cili kishte shpërndarë më herët çështjen dhe më pas njoftoi se teksti në Wikipedia ishte ndryshuar.
“Pjesa ballore e tekstit u ndryshua, ndërsa poshtë është shtuar shpjegimi i gjithë procesit. Nuk është më e mira, por megjithatë në hapje të faqes nuk figuron teksti i mëparshëm”, shkroi Abazi.
Ai falënderoi të gjithë për kontributin, duke veçuar në reagimin e tij “grupin e Wikipedia”.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.