Zeqirja Ibrahimi: Me Marrëveshjen e Ohrit shteti u definua si pronë e kombit maqedonas. Shqiptarët përsëri mbetën pakicë

Vërtet Marrëveshja e Ohrit ka merita, sepse e ndali konfliktin, e korrigjoi pabarazinë në Maqedoni, e ngriti përfaqësimin e qytetarëve joshumicë, e mundësoi avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe i dha udhë decentralizimit, por nuk mun...

gusht 14, 2026 - 12:00
Zeqirja Ibrahimi: Me Marrëveshjen e Ohrit shteti u definua si pronë e kombit maqedonas. Shqiptarët përsëri mbetën pakicë

Vërtet Marrëveshja e Ohrit ka merita, sepse e ndali konfliktin, e korrigjoi pabarazinë në Maqedoni, e ngriti përfaqësimin e qytetarëve joshumicë, e mundësoi avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe i dha udhë decentralizimit, por nuk mund të mos e themi sa herë që bie kjo temë se kjo marrëveshje, që më 13 gusht 2001 u nënshkrua edhe me presion të përfaqësuesit politik të UÇK-së, nuk zgjidhi gati asgjë nga synimet fillestare të UÇK-së.
– Me Marrëveshjen e Ohrit shteti u definua si pronë e kombit maqedonas (si bartës i sovranitetit) dhe bashkësive etnike (ose pakicave).
– Me Marrëveshjen e Ohrit shqiptarët përsëri mbetën pakicë. Në vend “pakicë etnike”, siç emërtoheshim para vitit 2001, me Marrëveshjen e Ohrit u quajtëm “bashkësi etnike”, që është një eufemizën për “minoritet”.
– Me Marrëveshjen e Ohrit gjuha shqipe mbeti gjuhë e pakicës, e kufizuar dhe përkufizuar ashtu edhe në dispozitat e mëvonshme ligjore.
– Me Marrëveshjen e Ohrit përfaqësimi i drejtë dhe adekuat mbeti në vullnetin e qeverive, pa u bërë detyrim kushtetues dhe ligjor.
– Në Marrëveshjen e Ohrit nuk përmendet fare Ushtria Çlirimtare Kombëtare si palë dhe këtë e ka pranuar edhe vetë drejtuesi i atëhershëm i UÇK-së. Këtë ai duhet t’ua shpjegojë ushtarëve të tij.
Prandaj, krejt në rregull janë festimet, manifestimet, interpretimet e shpjegimet, por nëse nuk kemi guxim t’i emërtojmë gjërat saktë, gjithnjë do të çalojmë.
Zaten, vetëm (ri)definimi i saktë i gjendjes është mundësi fillestare për ndryshimin e saj.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.