Zhvarrimet në Kalludër e Jabukë, raporte të reja vijnë nga Haga, identifikohen Adem Ademi, Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë identifikuar përmes analizave të ADN-së edhe tre anëtarë të Grupit të Intelektualëve, Adem Ademi, Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti, të cilët u rrëmbyen nga forcat e armatosu...

Nëntor 3, 2026 - 19:30
Zhvarrimet në Kalludër e Jabukë, raporte të reja vijnë nga Haga, identifikohen Adem Ademi, Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë identifikuar përmes analizave të ADN-së edhe tre anëtarë të Grupit të Intelektualëve, Adem Ademi, Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti, të cilët u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe në prillin e vitit 1999 dhe u zhdukën me dhunë.

Kurti njofton se Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare.

Postimi i plotë:

Pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u informova se janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.

Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.

Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, bashkë me kërkesën dhe angazhimin për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, të cilat vazhdon t’i mohojë e t’i fshehë, teksa klasifikon e mbyllë dokumentet e arkivat, dhe glorifikon autorët e gjenocidit.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.