Zjarr i madh në Krujë, ministri Nufi: U shkaktua nga dora e njeriut
Zjarri që ka përfshirë Krujën vijon të jetë në monitorim dhe nën ndërhyrjen e strukturave të emergjencave, ndërsa operacioni për izolimin e flakëve po zhvillohet nga toka dhe ajri. Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka bërë me ...


Zjarri që ka përfshirë Krujën vijon të jetë në monitorim dhe nën ndërhyrjen e strukturave të emergjencave, ndërsa operacioni për izolimin e flakëve po zhvillohet nga toka dhe ajri.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka bërë me dije se ka ndjekur nga afër situatën në terren, së bashku me Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin, si dhe drejtuesin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Zjarrfikësve, shkruan TvKlan.
Sipas ministrit, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga dora e njeriut.
“Që prej pasdites, po punohet intensivisht me mbështetje nga ajri me 3 helikopterë të Forcës Ajrore, bashkë me forcat operacionale të strukturave vendore”, shkruan Nufi në Facebook.
Në terren janë angazhuar efektivë të strukturave të MZSH-së nga Kruja, Kamza, Tirana dhe Vora, të cilët po punojnë për izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e banesave të rrezikuara.
Ministri ka vlerësuar gjithashtu punën e pilotëve të Forcës Ajrore dhe forcave zjarrfikëse të angazhuara në operacion.
Për shkak të terrenit të thepisur dhe vështirësive për ndërhyrje nga toka, operacioni po zhvillohet në mënyrë të koordinuar nga ajri dhe toka, me synim vënien sa më shpejt nën kontroll të zjarrit.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.
