Zjarri në Pelister mbetet më kompleksi në vend, Angelov: Asnjë zjarrfikës nuk është lënduar

Zjarri që ka shpërthyer në anën e Prespës të Pelisterit vazhdon të jetë vatra më e vështirë për t’u kontrolluar në vend. Autoritetet kanë mobilizuar forca tokësore dhe mjete ajrore në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve. Drejtor...

gusht 30, 2026 - 18:00
Zjarri në Pelister mbetet më kompleksi në vend, Angelov: Asnjë zjarrfikës nuk është lënduar

Zjarri që ka shpërthyer në anën e Prespës të Pelisterit vazhdon të jetë vatra më e vështirë për t’u kontrolluar në vend. Autoritetet kanë mobilizuar forca tokësore dhe mjete ajrore në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov, bëri të ditur se në terren janë angazhuar ekipe zjarrfikësish, mekanizëm, një helikopter i ushtrisë dhe aerotraktorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Sipas Angelovit, zjarri po lëviz në drejtim të Parkut Kombëtar “Pelister”, duke e bërë ndërhyrjen veçanërisht të ndërlikuar.

“Zjarri më i vështirë dhe më kompleks për t’u shuar është ai që shpërtheu dje pasdite në anën e Prespës të Pelisterit – zjarr që po lëviz në drejtim të Parkut Kombëtar ‘Pelister’”, deklaroi Angelov.

Angelov mohon të ketë zjarrfikës të lënduar

Angelov ka mohuar ndërkohë informacionet e publikuara në disa media se dy zjarrfikës janë lënduar gjatë ndërhyrjes.

“Deri tani nuk është lënduar asnjë zjarrfikës. Nuk është e vërtetë lajmi që është publikuar në disa portale se ka dy zjarrfikës të lënduar”, tha ai.

Sipas tij, asnjë pjesëtar i ekipeve të zjarrfikësve nuk ka pasur probleme nga tymi dhe të gjithë vazhdojnë të jenë të angazhuar në terren.

Mbi 30 zjarre në një ditë

Situata në vend mbetet e ngarkuar edhe për shkak të numrit të madh të vatrave të zjarrit. Angelov tha se gjatë ditës së djeshme janë regjistruar më shumë se 30 zjarre.

Reshjet e shiut në pjesët lindore të vendit kanë ndihmuar në një masë të kufizuar, por nuk kanë sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës në zonat e tjera.

Njësitë zjarrfikëse nga Resnja dhe Manastiri kanë qenë ndër të parat që kanë reaguar pas shpërthimit të zjarrit në Pelister, ndërsa më pas janë mobilizuar edhe resurset e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa prioritet mbetet parandalimi i përhapjes së zjarrit drejt zonave të mbrojtura të Parkut Kombëtar “Pelister”. Gazeta Flaka

The post Zjarri në Pelister mbetet më kompleksi në vend, Angelov: Asnjë zjarrfikës nuk është lënduar appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.