Zyrtari i lartë i qeverisë glorifikon Ratko Mlladiqin, reagojnë ashpër nga BDI dhe VLEN: Përgjegjësi dhe shkarkim!

BDI kërkon shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për realizimin e të drejtave të komuniteteve, ndërsa VLEN dënon fuqishëm glorifikimin e Ratko Mlladiqit. BDI akuzon se drejtori i këtij institucioni, i cili ka për detyrë të mbrojë dhe promovoj...

gusht 28, 2026 - 22:30
Zyrtari i lartë i qeverisë glorifikon Ratko Mlladiqin, reagojnë ashpër nga BDI dhe VLEN: Përgjegjësi dhe shkarkim!

BDI kërkon shkarkimin e drejtorit të Agjencisë për realizimin e të drejtave të komuniteteve, ndërsa VLEN dënon fuqishëm glorifikimin e Ratko Mlladiqit.

BDI akuzon se drejtori i këtij institucioni, i cili ka për detyrë të mbrojë dhe promovojë të drejtat e komuniteteve, ka lavdëruar persona të dënuar për krime kundër njerëzimit.

Nga BDI thonë se një veprim i tillë është i papranueshëm dhe kërkojnë shkarkimin e drejtorit.

“Partia që sot është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut publikon një tekst në të cilin i thur elozhe Ratko Mlladiqit, person i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e mijëra civilëve të pafajshëm në Srebrenicë.
Dhe kjo nuk është thjesht një çështje e së kaluarës. Është një mentalitet kriminal që sot po shpërfaqet publikisht nga një subjekt politik që është pjesë e pushtetit.
Këta nuk po flasin për histori. Po e romantizojnë një figurë të dënuar për disa nga krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Dhe pyetja është e thjeshtë:
Ku është VLEN-i?
Ku janë ata që na flisnin për Marrëveshjen e Ohrit, për respektimin e komuniteteve, për të drejtat e tyre dhe për një shoqëri të barabartë?
VLEN na sollën në këtë pikë, ku partnerët e tyre qeveritarë sot publikisht vajtojnë dhe glorifikojnë një figurë të dënuar për krime të kryera pikërisht ndaj komuniteteve dhe civilëve.
Ky është standardi i dyfishtë i VLEN-it”, reagoi ndër të tjera BDI.

Ndërkohë, VLEN ka dënuar çdo glorifikim të çetnikëve dhe veçanërisht të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera të rënda.

“VLEN dënon fuqishëm çdo glorifikim të çetnikëve dhe veçanërisht të Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera të rënda.

Akoma më shqetësuese është kur përmbajtje të tilla publikohen nga drejtuesi i një institucioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera.

Kjo nuk është çështje shijesh apo bindjesh personale. Është çështje e standardeve të një zyrtari publik dhe e mesazhit që institucionet ua dërgojnë qytetarëve.

VLEN kërkon përgjegjësi të menjëhershme. Kush nuk respekton viktimat dhe vlerat e bashkëjetesës nuk mund të jetë garant i të drejtave të komuniteteve”, përfundojnë nga VLEN.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.