16 kryeheronj në zyrën e Ali Ahmetit, me shumë përkushtim një dhuratë e veçantë nga Elmedin Asani
Shkup, 5 shkurt – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ndarë një mesazh vlerësimi për një pikturë që simbolizon rrugëtimin dhe sakrificën e brezave liridashës, duke ruajtur…
Shkup, 5 shkurt – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ndarë një mesazh vlerësimi për një pikturë që simbolizon rrugëtimin dhe sakrificën e brezave liridashës, duke ruajtur kujtesën për ata që i paraprinë luftës çlirimtare dhe qëndresës për liri.
Ahmeti thekson se vepra artistike, e cila është dhuratë nga miku i tij Elmedin Asani, ka për të një domethënie të veçantë dhe zë vend nderi si në zyrën e tij ashtu edhe në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim. Sipas tij, piktura pasqyron guximin, sakrificën dhe idealin për liri të atyre që u vunë në shërbim të çlirimit të vendit.
Në këtë vepër janë paraqitur heronj që Ahmeti i quan vëllezër dhe bashkëluftëtarë, me të cilët ndau ëndrrën për liri, barrën e një detyre të shenjtë dhe besimin e palëkundur se vendi do të ngrihej i lirë dhe dinjitoz për brezat që vijnë. Ai nënvizon se këta luftëtarë përbëjnë bërthamën e rezistencës dhe të çlirimit të Kosovës, duke përfaqësuar zonat e Drenicës, Llapit dhe Dukagjinit.
Sipas Ahmetit, kjo pikturë mbetet një dëshmi e përhershme se liria nuk ishte rastësi, por fryt i bashkimit, vendosmërisë dhe sakrificës së një brezi të pathyeshëm.
Në fund të mesazhit të tij, Ahmeti shpreh lavdi dhe nderim të përjetshëm për luftëtarët e lirisë, duke ritheksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe vlerave për të cilat ata u flijuan.
