4.2 milionë eurot për Kodin Zgjedhor nuk janë “humbur” ende, por Qeveria e RMV-së nuk tregon nëse dhe si do t’i shpëtojë

Mosmiratimi i Kodit Zgjedhor lë ende të paqartë fatin e 4.28 milionë eurove të lidhura me këtë reformë në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në përgjigjet për Portalb.mk, Ministria e Çështjeve Evropiane nuk sqaro...

gusht 23, 2026 - 11:00
4.2 milionë eurot për Kodin Zgjedhor nuk janë “humbur” ende, por Qeveria e RMV-së nuk tregon nëse dhe si do t’i shpëtojë

Mosmiratimi i Kodit Zgjedhor lë ende të paqartë fatin e 4.28 milionë eurove të lidhura me këtë reformë në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në përgjigjet për Portalb.mk, Ministria e Çështjeve Evropiane nuk sqaron nëse këto mjete janë humbur përfundimisht e as nuk garanton se ato mund të kërkohen dhe të disbursohen në një fazë të mëvonshme.

Në pyetjet e dërguara nga redaksia jonë, Ministria u pyet drejtpërdrejt nëse mosmiratimi i Kodit Zgjedhor nënkupton humbjen përfundimtare të 4.28 milionë eurove apo nëse ekziston mundësia që këto mjete të kërkohen më vonë.

Përgjigjja nuk jep një afat, vendim apo konfirmim konkret për këto mjete.

Në vend të kësaj, Ministria i referohet Rregullores së BE-së 2024/1449 dhe mundësisë që Agjenda Reformuese të ndryshohet në rastet kur një reformë nuk mund të realizohet për shkak të “rrethanave objektive”. Sipas Ministrisë, përfituesi mund t’i dorëzojë Komisionit Evropian një kërkesë të arsyetuar për ndryshimin e Agjendës.

“Rregullorja (BE) 2024/1449 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e datës 14 maj 2024, për krijimin e Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, në nenin 16 parashikon mundësinë që, nëse Agjenda Reformuese, duke përfshirë edhe kushtet përkatëse për pagesë, nuk mund të realizohet më nga përfituesi, pjesërisht ose tërësisht, për shkak të rrethanave objektive, përfituesi të mund të propozojë ndryshimin e saj duke i dorëzuar Komisionit një kërkesë të arsyetuar. Kjo çështje rregullohet gjithashtu në nenin 6, pikën 4, të Marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e MÇE-së.

Por nga përgjigjja e Ministrisë nuk bëhet e qartë nëse Maqedonia e Veriut tashmë ka dorëzuar një kërkesë të tillë për Kodin Zgjedhor, nëse Komisioni Evropian e ka pranuar një kërkesë të tillë apo nëse ekziston ndonjë garanci se 4.28 milionë eurot do të mund të merren në një fazë tjetër.

Ministria thotë se aktualisht po zhvillohet procesi i vlerësimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje dhe se pas këtij procesi do të merret vendim se cilat vende do të përfitojnë mjete shtesë.

“Gjatë procesit të negociatave me Komisionin Evropian, pas konsultimeve të brendshme me palët e interesuara, do të marrim vendim se cilat reforma do të propozohen në kuadër të rishikimit të Agjendës Reformuese”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Portalb.mk.

Kjo lë të hapur një nga pyetjet kryesore: çfarë do të ndodhë konkretisht me paratë e lidhura me Kodin Zgjedhor?

Nuk ka përgjigje të qartë as për afatin e ri

Portalb.mk e pyeti Ministrinë edhe nëse Maqedonia e Veriut i ka propozuar Bashkimit Evropian një afat të ri për përmbushjen e obligimit për Kodin Zgjedhor dhe nëse ka marrë përgjigje nga Komisioni Evropian.

Për këtë pyetje, Ministria nuk dha përgjigje konkrete.

Në përgjigje, nuk konfirmohet nëse është kërkuar zyrtarisht një afat i ri dhe as nuk bëhet e ditur nëse Komisioni Evropian ka dhënë ndonjë përgjigje për këtë çështje.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi Kodi Zgjedhor ishte një nga reformat për të cilat kishte pasur paralajmërime se mund të mos përmbusheshin brenda afatit.

Çështja e Kodit Zgjedhor ishte lidhur drejtpërdrejt me rrezikun për humbjen e mbi katër milionë eurove nga Plani i Rritjes. Partitë politike nuk arritën marrëveshje për miratimin e Kodit Zgjedhor dhe afati shtesë për përmbushjen e reformës përfundoi pa rezultat.

A rrezikohen edhe këstet e ardhshme?

Një tjetër pyetje drejtuar MÇE-së ishte nëse mosmiratimi i Kodit Zgjedhor do të ndikojë vetëm në pagesën e mjeteve të lidhura me këtë reformë apo mund të ketë pasoja edhe për këstet e ardhshme të Planit të Rritjes.

Edhe këtu, Ministria nuk jep garanci të prerë.

“Deri në këtë moment, nuk kemi marrë informacion se mosmiratimi i Kodit Zgjedhor do të ndikonte në pagesën e kësteve të tjera”, thuhet në përgjigjen e saj.

Formulimi “deri në këtë moment” lë të hapur mundësinë që situata të ndryshojë, ndërsa Ministria nuk sqaron nëse Komisioni Evropian ka dhënë ndonjë vlerësim formal për këtë çështje.

Në vend të kësaj, Ministria thekson se Qeveria ka bërë përpjekje për sigurimin e konsensusit për Kodin Zgjedhor, por miratimi i tij “u bllokua në Kuvend”.

Kështu, nga përgjigjet zyrtare rezulton se fati i 4.28 milionë eurove mbetet i paqartë, ndërsa për afatin e ri për Kodin Zgjedhor nuk jepet konfirmim se një kërkesë zyrtare është bërë apo se ajo është pranuar nga Brukseli.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.