4.4 miliardë euro u mblodhën gjatë 2025 nga tatimet dhe kontributet në RMV
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) njoftoi se gjatë vitit 2025 në buxhetin e shtetit janë mbledhur gjithsej 4 miliardë e 426 milionë euro nga taksat dhe kontributet sociale, që paraqet një rritje prej 308.3 milionë euro krahasuar me vitin 2024. Nga kjo shumë, të ardhurat tatimore arrijnë në 2 miliardë e 334 milionë euro, […]
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) njoftoi se gjatë vitit 2025 në buxhetin e shtetit janë mbledhur gjithsej 4 miliardë e 426 milionë euro nga taksat dhe kontributet sociale, që paraqet një rritje prej 308.3 milionë euro krahasuar me vitin 2024.
Nga kjo shumë, të ardhurat tatimore arrijnë në 2 miliardë e 334 milionë euro, me rritje 7.5% ose 163.2 milionë euro më shumë se një vit më parë. Rritja ka qenë e vazhdueshme gjatë gjithë vitit, me intensitet më të madh në gjysmën e dytë të vitit 2025, kur u realizuan rreth katër të pestat e rritjes vjetore.
Të ardhurat nga TVSH-ja shënuan rritje të qëndrueshme të arkëtimit nga qarkullimi i brendshëm, me rritje mujore prej 10 deri në 13 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Tatimi mbi fitimin u rrit si rezultat i pagesave akontative për vitin 2025 mbi një bazë më të lartë tatimore dhe rritjes së arkëtimit të tatimit të mbajtur në burim nga dividentët dhe të ardhurat e tjera të paguara ndaj themeluesve dhe partnerëve të huaj, ku u regjistrua rritje mbi 30 për qind.
Në tatimin mbi të ardhurat personale, kontributin më të madh e dha tatimi mbi pagat, me rritje mujore të qëndrueshme dhe rritje totale mbi 10 për qind, ndërsa rritje e konsiderueshme u shënua edhe te të ardhurat nga shërbimet kontraktuale, bujqësia dhe veprimtaria e pavarur.
Nga kontributet sociale u mblodhën 2 miliardë e 92 milionë euro, që është 145.2 milionë euro më shumë se në vitin 2024, ose rritje prej 7.5 për qind.
DAP thekson se rezultatet janë arritur falë arkëtimit më efikas dhe në kohë të detyrimeve, ndërhyrjes së hershme dhe zbatimit të qëndrueshëm të masave ligjore, duke paralajmëruar se edhe në vitin 2026 do të vazhdojë me mbledhje efikase, të drejtë dhe transparente të të ardhurave publike.