AKI hap fushatën në Gostivar, Limani: “Më 11 janar triumfon vullneti qytetar”
Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) hapi zyrtarisht fushatën zgjedhore në Gostivar për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 11 janarit, me një tubim të madh ku u përcoll The post AKI hap fushatën në Gostivar, Limani: “Më 11 janar triumfon vullneti qytetar” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
dhjetor 23, 2025 - 01:30
0
Lajmi u lexua: _ _ 1297
Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) hapi zyrtarisht fushatën zgjedhore në Gostivar për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 11 janarit, me një tubim të madh ku u përcoll mesazhi i besimit të plotë për fitore të kandidatit për kryetar komune, Dr. Valbon Limani.
Në tubim morën pjesë liderët e koalicionit Ali Ahmeti dhe Arben Taravari, përfaqësues institucionalë, deputetë, struktura partiake, forume të gruas dhe rinisë, si dhe një numër i madh qytetarësh.
Limani: “Fitorja na u mohua për pak vota, por këtë herë vendos qytetari”
Në fjalën e tij, kandidati i AKI-së, Dr. Valbon Limani, falënderoi qytetarët për mbështetjen në raundin e parë, duke theksuar se rezultati u deformua për një numër të vogël votash, por se raundi i dytë do të sjellë fitoren e merituar.
“Kjo nuk është hera e parë që në Gostivar provohen lojëra të tilla, por jam i bindur se me mbështetjen tuaj dhe mbi të gjitha me vullnetin e Zotit, do t’ia dalim,” deklaroi Limani.
Ai theksoi se nuk beson në premtime boshe, por në projekte konkrete dhe të realizueshme për zhvillimin e qytetit.
“11 janari është betejë për dinjitet, për të drejtën e qytetarëve që vetë të vendosin për të ardhmen e Gostivarit,” u shpreh ai.
Duke folur edhe në aspektin personal, Limani theksoi se është mjek me profesion, bashkëshort dhe baba i tre vajzave, i rritur me vlera familjare dhe besim të fortë fetar.
“Besoj në Zot mbi gjithçka dhe për parimet e Zotit nuk bëj kompromis,” tha Limani, duke ftuar qytetarët që fushatën ta përjetojnë si festë uniteti. “Me Gostivarin në zemër dhe me besim në Zot, nisim rrugën drejt fitores së madhe. Fitorja mban numrin 3.”
Në tubim foli edhe kryesuesi i Këshillit Komunal të Gostivarit, Valdet Xhaferi, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve lokale.
“Kur Këshilli Komunal, administrata dhe kryetari punojnë së bashku, projektet realizohen dhe qytetarët përfitojnë drejtpërdrejt. Kjo nuk është çështje politike, por përgjegjësi qytetare,” u shpreh Xhaferi.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 11 janar të mbështesin Dr. Valbon Limanin duke votuar numrin 3.
Ahmeti: Limani është kandidati i vetëm i BDI-së në Gostivar
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi mbështetje të plotë për kandidatin e AKI-së.
“Koalicioni AKI në Gostivar ka vetëm një kandidat për kryetar komune – Valbon Limanin. Ke mbështetjen time të plotë, mbështetjen e BDI-së dhe të të gjitha strukturave tona. Fitorja jote më 11 janar është e sigurt,” tha Ahmeti, duke theksuar nevojën për një brez të ri udhëheqësish.
Taravari: Limani do të fitojë bindshëm
Kryetari i ASH-së dhe lider i koalicionit AKI, Arben Taravari, u shpreh i bindur për fitore bindëse në raundin e dytë.
“Fitorja e 19 tetorit ishte dëshmi e mbështetjes qytetare. Më 11 janar duhet mobilizim maksimal që kjo fitore të vuloset,” deklaroi Taravari.
Në fjalimin e tij, Taravari paralajmëroi gjithashtu se gjatë vitit të ardhshëm pritet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Në përfundim, organizatorët falënderuan veçanërisht mërgimtarët e shumtë që kishin ardhur për hapjen e fushatës, duke vlerësuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Gostivarin. U bë e ditur gjithashtu se fushata e AKI-së është hapur paraprakisht edhe në Vrapçisht, ku kandidat për kryetar komune është Isen Shabani. Gazeta Flaka