Aksion në Prilep: Goditet grupi kriminal me 21 persona, sekuestrohen drogë, para, armë e makina luksoze

Një grup i organizuar kriminal i përfshirë në tregti të paligjshme të drogës dhe pastrim parash është goditur gjatë një aksioni policor të zhvilluar më 30 shtator, njofton Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas MPB-së, pas një hetimi dis...

tetor 2, 2026 - 00:30
Aksion në Prilep: Goditet grupi kriminal me 21 persona, sekuestrohen drogë, para, armë e makina luksoze

Një grup i organizuar kriminal i përfshirë në tregti të paligjshme të drogës dhe pastrim parash është goditur gjatë një aksioni policor të zhvilluar më 30 shtator, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas MPB-së, pas një hetimi disa mujor, Departamenti për Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Inteligjencës Financiare dhe Departamentin për Operacione Speciale Policore, zhvilloi një aksion të koordinuar nën drejtimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Në kuadër të aksionit janë kontrolluar 36 lokacione, prej tyre 33 në Prilep, dy në Shkup dhe një në Strugë. Janë kontrolluar gjithsej 31 persona, ndërsa 20 persona janë privuar nga liria.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar lëndë të dyshuara narkotike, përfshirë lëndë bimore, pluhur të bardhë dhe lëndë kokërrzore, si dhe një pistoletë me gaz, municion, para në denarë dhe valuta të huaja, automjete, motoçikleta, telefona celularë, peshore dhe pajisje të tjera.

MPB-ja thotë se ndaj 21 personave është ngritur kallëzim penal. Të dyshuarit, sipas hetimit, kanë vepruar gjatë një periudhe më të gjatë në tregtimin e kokainës dhe marihuanës, ndërsa një pjesë e tyre dyshohet edhe për pastrim të parave të siguruara nga aktiviteti kriminal.

Sipas policisë, dy persona kanë pasur rol drejtues në organizimin e rrjetit të shpërndarjes. Droga dyshohet se është siguruar nga persona nga Shqipëria, Struga, Dibra dhe Gostivari, ndërsa është shpërndarë përmes një rrjeti të rishitësve në Prilep, Manastir, Kavadar, Negotinë, Veles dhe Shkup.

Sipas MPB-së, marihuana shitej nga 500 deri në 800 denarë për gram, ndërsa kokaina nga 4.000 deri në 6.000 denarë për gram.

Hetimi ka evidentuar gjithashtu lëvizje të parave të dyshuara me origjinë kriminale. Sipas MPB-së, gjatë viteve 2025–2026, pesë persona dyshohet se kanë futur në qarkullim të ligjshëm financiar gjithsej 4.990.270 denarë dhe 64.670 euro, me qëllim fshehjen e origjinës dhe lëvizjes së tyre.

MPB-ja sqaron se B.I., njëri nga të dyshuarit, aktualisht ndodhet në paraburgim në Francë për vepër penale të lidhur me drogën.

Për të dyshuarit janë parashtruar kallëzime për prodhim dhe lëshim të paautorizuar në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve, si dhe për pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale.

Personat e përmendur janë të dyshuar dhe përgjegjësia penale përcaktohet me vendim të plotfuqishëm gjyqësor.

The post Aksion në Prilep: Goditet grupi kriminal me 21 persona, sekuestrohen drogë, para, armë e makina luksoze appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.