Aleanca Kombëtare për Integrim: Emërimi i “poverenikëve” është i paligjshëm dhe tentativë uzurpimi
Aleanca Kombëtare për Integrim ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për të emëruar të ashtuquajturit “poverenikë” në krye të komunave, duke e quajtur këtë hap “të jashtëligjshëm, të paautorizuar The post Aleanca Kombëtare për Integrim: Emërimi i “poverenikëve” është i paligjshëm dhe tentativë uzurpimi appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Aleanca Kombëtare për Integrim ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për të emëruar të ashtuquajturit “poverenikë” në krye të komunave, duke e quajtur këtë hap “të jashtëligjshëm, të paautorizuar dhe të papranueshëm”.
Në reagimin e koalicionit theksohet se vendimi synon “të uzurpojë vullnetin e qytetarëve të Gostivarit dhe Vrapçishtit”, ndërsa përpjekja e Qeverisë për të zëvendësuar udhëheqësit e zgjedhur nga populli është cilësuar si “ndërhyrje e hapur në autonominë lokale dhe shkelje flagrante e rendit juridik”.
“Theksojmë me përgjegjësi të plotë se baza ligjore e këtij vendimi nuk ekziston,” thuhet në deklaratë.
AKI: Ligji është i qartë, raundi i dytë nuk ka dështuar
Aleanca Kombëtare për Integrim thekson se Ligji për Vetëqeverisje Lokale, si lex specialis, lejon emërimin e të besuarit të Qeverisë vetëm në rast të dështimit të dy raundeve zgjedhore.
“Në Gostivar dhe Vrapçisht ka dështuar vetëm raundi i parë. Raundi i dytë ende nuk është mbajtur. Çdo justifikim tjetër është fabrikim politik dhe abuzim me ligjin,” deklaron koalicioni.
Rasti i Gostivarit: Ligji mbron mandatin e ushtruesit të detyrës
Në reagim theksohet se në Gostivar shkelja është “edhe më e rëndë”, pasi Valbon Limani është ushtrues detyre i zgjedhur nga Këshilli Komunal. Aleanca citon nenin 54, paragrafi 5 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale:
“Anëtari i këshillit i zgjedhur për ushtrues detyre të kryetarit të komunës e ushtron funksionin deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.”
Koalicioni thekson se edhe ndryshimet e fundit ligjore e konfirmojnë të njëjtin parim:
“Ushtruesi i detyrës vazhdon funksionin deri në zgjedhjen e kryetarit të ri nga populli.”
“Prandaj, vendosja e ‘poverenikëve’ nuk është vetëm e paligjshme – është tentativë për kapje të pushtetit lokal dhe shkelje e drejtpërdrejtë e vullnetit qytetar,” thekson Aleanca Kombëtare për Integrim.
Rezultatet zgjedhore: Vullneti qytetar është i padiskutueshëm
Koalicioni kujton se në zgjedhjet e mbajtura, Aleanca Kombëtare për Integrim doli fituese me mbi 23 mijë vota në dy komunat.
- Në Gostivar, Valbon Limani mori rreth 17 mijë vota, ose 13 mijë më shumë se kandidati i koalicionit qeveritar.
- Në Vrapçisht, Isen Shabani fitoi 6.050 vota, mbi 5.500 më shumë se kandidati i pushtetit qendror.
“Këto mandate ishin të pastra, demokratike dhe të padiskutueshme. Asnjë firmë politike nuk mund ta fshijë votën e popullit,” thekson Aleanca.
Premtim për reagim institucional dhe fitore më të thellë
Aleanca Kombëtare për Integrim paralajmëron se nuk do të qëndrojë duarkryq.
“Nuk do të lejojmë uzurpim institucional. Do të kërkojmë mbrojtje të ligjit në çdo instancë,” thuhet në reagim.
Koalicioni mbyll deklaratën me një mesazh të qartë politik:
“Më 11 janar, drejtësinë do ta vendosë populli – me fitore edhe më të thellë.”
The post Aleanca Kombëtare për Integrim: Emërimi i “poverenikëve” është i paligjshëm dhe tentativë uzurpimi appeared first on Flaka, në çdo lajm... .