ANALIZË: Kreditë e Maqedonisë së Veriut në vitin 2025

Për vetëm një vit borxhi i brendshëm i shtetit u rrit për 600 milionë euro. Nga jashtë – Kredia hungareze prej 1 miliard euro do të jetë vendimtare për projektet e infrastrukturës. Edhe këtë vit me para të financuesve ndërkombëtarë do të ndërtohen korridore rrugore dhe hekurudhore, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk. Huamarrja nga […]

Jan 20, 2025 - 08:00
 0  5
ANALIZË: Kreditë e Maqedonisë së Veriut në vitin 2025
Analiza ekonomike, ekonomi, euro, denare

Për vetëm një vit borxhi i brendshëm i shtetit u rrit për 600 milionë euro. Nga jashtë – Kredia hungareze prej 1 miliard euro do të jetë vendimtare për projektet e infrastrukturës. Edhe këtë vit me para të financuesve ndërkombëtarë do të ndërtohen korridore rrugore dhe hekurudhore, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Huamarrja nga vendet e huaja ….  

Kredi nga Banka Botërore, nga BERZH-i, nga financierë ndërkombëtarë… Këtë vit projektet më të rëndësishme infrastrukturore, por edhe një pjesë e projekteve reformuese do të realizohen me kredi të huaja.  

Këtë vit 2025, në bazë të kredive të prapambetura, gjegjësisht kryegjënë e kredive, shteti duhet të kthejë 801.630.000 euro jashtë vendit, kurse pjesa më e madhe e tyre, ose 500.000.000 euro është shuma e eurobondit nga viti 2018, që duhet paguar në muajin e parë të këtij viti.  

Viti 2025 nisi me kredinë tashmë të marrë hungareze në vlerë prej 1 miliard euro, e cila sipas qeverisë duhet të jetë “shtyllë” për investimet.  

“Një kontribut i rëndësishëm pritet edhe nga aktiviteti investues i kompanive vendase, si rezultat i burimeve financiare jashtëzakonisht të favorshme të siguruara nëpërmjet kredisë nga Hungaria, për investime në kapacitete të reja prodhuese dhe për rritjen e konkurrencës eksportuese të kompanive”- thuhet në buxhetin e vitit 2025.  

Këtë vit me kredi nga vende të huaja do të ndërtohen dhe do të zgjerohen disa akse rrugore, ndër të cilat edhe ato drejt kufirit me Bullgarinë dhe Kosovën, pastaj vendkalimi i ri i përbashkët kufitar me Serbinë, vazhdimi i ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër, investime në arsim dhe bujqësi.  

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Njëra nga reformat më të rëndësishme në financat publike është edhe futja e një sistemi të integruar që duhet të mbulojë disa segmente, e projekti do të financohet nga disa burime, një kredi nga Banka Botërore dhe fonde granti nga BE-ja.  

“Huamarrja jashtë vendit do të realizohet nëpërmjet tërheqjes së fondeve nga kësti i dytë i një kredie nga BE-ja për mbështetje makrofinanciare në vlerën 50 milionë euro, një kredi dypalëshe në vlerën 500 milionë euro, si dhe përmes tërheqjes së fondeve nga linjat e tjera kreditore nga institucionet e huaja financiare të dedikuara për financimin e projekteve të veçanta dhe/ose deficitit buxhetor” – thuhet në Ministrinë e Financave.  

Huamarrja brenda vendit …  

Sipas të dhënave të reja të Ministrisë së Financave, në fund të dhjetorit 2024, borxhi i shtetit ndaj kreditorëve vendas arriti në 3,64 miliardë euro dhe për një vit, sipas përllogaritjes së “Portalb”-it, është rritur për një shumë fantastike prej 608 milionë eurosh. Trendi i rritjes së borxhit të brendshëm është regjistruar gjatë gjithë muajve të vitit 2024, por një rritje më të theksuar në nivel mujor prej 150,7 milionë euro ka pasur në muajin nëntor.  

Sipas të dhënave nga ministria përkatëse, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë planifikuar 6 ankande të letrave me vlerë të shtetit, nga dy në muaj, përmes të cilave do të mblidhen para, me të cilat kryesisht do të shlyhen detyrimet e prapambetura mbi të njëjtën bazë.  

Kreditorët vendas edhe këtë vit do të jenë burim financimi, por me plan që të jenë kredi në një afat më të gjatë. Në vitin 2025 duhet të paguhen 275 milionë euro për kryegjënë në bazë të borxheve të brendshme. 

“Niveli i pritur i huamarrjes brenda vendit është 56,5 miliardë denarë, dhe do të sigurohet përmes huamarrjes me letra shtetërore me vlerë (LSHV) dhe/ose kredi të brendshme. Huamarrja në tregun e brendshëm do të sigurojë financim në kushte të favorshme, duke përdorur përqindje më të favorshme të kamatave. Njëkohësisht, me synimin e optimizimit të portofolit të LSHV-ve, e në drejtim të uljes së rrezikut të rifinancimit, angazhimi themelor i Ministrisë së Financave do të jetë rritja e maturimit të portofolit të LSHV-ve” – thuhet në buxhet.  

Sipas të dhënave nga Strategjia e re për Menaxhimin e Borxhit Publik, këtë vit ai do të arrijë në 65,2%, kurse një rënie nën kufirin prej 60% pritet në vitin 2029.