ANALIZË: Çmimet e perimeve në RMV deri në “tavan”, çfarë tregojnë statistikat?  

Për një kilogram lakër të freskët ose për një kilogram fruta të stinës, portokall, nga 60 deri në 90 denarë. Këto ishin disa nga çmimet në ditën kur hyri në fuqi vendimi i qeverisë për ngrirjen e marzhave. Çfarë po ndodh me çmimet e produkteve bujqësore? Në janar të këtij viti, indeksi i kostove të […]

shkurt 24, 2025 - 12:00
 0  4
ANALIZË: Çmimet e perimeve në RMV deri në “tavan”, çfarë tregojnë statistikat?  
Supermarket. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për një kilogram lakër të freskët ose për një kilogram fruta të stinës, portokall, nga 60 deri në 90 denarë. Këto ishin disa nga çmimet në ditën kur hyri në fuqi vendimi i qeverisë për ngrirjen e marzhave. Çfarë po ndodh me çmimet e produkteve bujqësore? Në janar të këtij viti, indeksi i kostove të prodhimit bujqësor u rrit për 5,9%, ndërsa indeksi i produkteve finale të dorëzuara për blerje apo përpunim u rrit për më shumë se 20%, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Çfarë tregojnë statistikat, cilat janë kostot e prodhimit bujqësor dhe cilat janë çmimet e produktit final?  

Të dhënat e reja të Entit të Statistikave për muajin janar krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar tregojnë se indeksi i çmimeve të produkteve bujqësore që u shiten blerësve apo distributorëve është shumë më i lartë se indeksi i kostove për prodhimin bujqësor dhe investimet.  

Konkretisht, të dhënat tregojnë se indeksi i çmimeve në bujqësi në janar të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, është rritur për 5,9% në anën e kostove hyrëse (kostot dhe investimet për prodhim), ndërsa në anën e kostove dalëse (si produkt i përfunduar i blerë apo për përpunim të mëtejshëm) është rritur për 20,8%. Kostot për farërat dhe për plehrat minerale u ulën, ndërsa rritja më e madhe prej 39,3% ishte te shpenzimet për mirëmbajtjen e pajisjeve dhe objekteve, kurse indeksi i çmimeve për shërbimet veterinare u rrit për 23,1%.  

Nga ana tjetër, indeksi i çmimeve dalëse të pemëve dhe perimeve në janar të këtij viti krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar tregon një situatë alarmante.  Në anën dalëse, indeksi i çmimeve të perimeve u rrit për madje 44,2%, kurse te prodhimi bimor për 23,5%.  

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Federata Kombëtare e Fermerëve paralajmëron se çmimet e larta të frutave dhe të perimeve nuk janë faji i fermerëve, por i marzhave të larta të diktuara nga distributorët dhe tregtarët.  

“Ne kemi një zinxhir – fermerët dhe prodhuesit që i sjellin produktet e tyre në qendrat blerëse, prej andej u shiten distributorëve, të cilët nga ana e tjetër, ua shesin tregtarëve. Nuk mund të na fajësojnë neve për çmimet e larta, sepse blerësit janë ata që i vendosin çmimet. Ju si konsumatorë i blini produktet finale, si për shembull domatet, për 120 denarë, ndërsa fermerëve u blihen për 30 denarë. E gjithë kjo është për shkak të marzhave të larta që i vendosin këta distributorë dhe tregtarë dhe për fat të keq, ajkën apo fitimin më të madh prej tyre e marrin ata, e jo prodhuesit e vërtetë” – deklaroi para do kohësh Vaska Mojsovska, kryetare e Federatës Kombëtare të Fermerëve. 

Të dhënat e përmbledhura tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit 2024, vlera e produkteve bujqësore të blera dhe të shitura arriti në 177 150 000 euro, që është për 121,6% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2023.  

Marzhat e “ngrira” – cilat janë çmimet…  

Në ditën e hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë për ngrirjen e çmimeve, në supermarkete u vunë re korrigjime në rënie për disa produkte ushqimore, si dhe produkte higjienike. Megjithatë, çmimet e pemëve dhe perimeve, si produkte bujqësore, mbeten të larta.  

Konkretisht, në ditën e hyrjes në fuqi të marzhave fikse, një kilogram mandarina kushtonte 120 denarë, portokalli shitej për 90 denarë, ndërsa një kilogram dardhë për 140 denarë. Ndër perimet e stinës, për shembull, një kilogram lakër shitej nga 60 deri në 90 denarë. Një kilogram tranguj ka arritur në vlerën fantastike 175 denarë, kurse domatet 140 denarë.   

Qeveria ka vendosur ta kufizojë marzhën e 1.000 produkteve ushqimore dhe jo ushqimore, kurse konkretisht për perimet dhe frutat, marzha u kufizua në 15%. Pas këtij vendimi, qeveria pret që çmimet të korrigjohen me një ulje prej të paktën 10%.  Nga ana tjetër, në shkurt vlera e shportës sindikale të konsumatorit sindikal arriti në 67.773 denarë dhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rritur për 6.300 denarë.