Arbër Ademi: “Aleanca Kombëtare për Integrim nuk është projekt elektoral – është vizion shtetëror
Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) doli sot para opinionit publik për të riafirmuar parimet dhe qëndrimet mbi të cilat qëndron si forcë politike shtetformuese, progresive dhe strategjikisht e orientuar drejt The post Arbër Ademi: “Aleanca Kombëtare për Integrim nuk është projekt elektoral – është vizion shtetëror appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) doli sot para opinionit publik për të riafirmuar parimet dhe qëndrimet mbi të cilat qëndron si forcë politike shtetformuese, progresive dhe strategjikisht e orientuar drejt Perëndimit.
“Ne nuk jemi krijuar për fushata, por për vizion. Në këto zgjedhje, AKI hyn me vlera, me përgjegjësi dhe me një qëllim të qartë: ta rikthejë politikën në shërbim të shtetit dhe qytetarit, dhe të vazhdojë rrugën e tij drejt Evropës,” – theksoi nënkryetari i partisë, Arbër Ademi.
Ai potencoi se marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë atë të Ohrit, të Prespës dhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, janë “themeli mbi të cilin qëndron stabiliteti i shtetit dhe rruga drejt Bashkimit Europian”.
“Këto marrëveshje nuk janë letër që mund të griset nga interesat e ditës, por janë garanci për paqen, për shtetin unitar dhe bashkëjetesën tonë. Çdo tentim për t’i minuar ato është lojë me të ardhmen e vendit,” – shtoi Ademi.
Barazia e shqiptarëve – shtyllë e stabilitetit
Në vijim, Ademi nënvizoi se barazia e shqiptarëve nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese dhe kombëtare.
“Çdo formë nënçmimi, margjinalizimi apo diskriminimi ndaj shqiptarëve është goditje ndaj vetë shtetit. Kush përpiqet të ulë dinjitetin e shqiptarëve, përpiqet të minojë themelet e barazisë dhe stabilitetit,” – deklaroi ai.
Sipas tij, AKI do të qëndrojë në çdo institucion dhe në çdo komunë si zëri i barazisë, jo i nënshtrimit.
Drejtësi për të gjithë – jo për të privilegjuarit
Një ndër shtyllat e forta të qëndrimit të AKI-së mbetet vetingu i plotë në drejtësi dhe hetimi i pasurisë së funksionarëve publikë.
“Drejtësia nuk mund të jetë privilegj, por duhet të jetë standard për të gjithë. Ne kërkojmë hetim të plotë dhe të paanshëm për prejardhjen e pasurisë së çdo funksionari publik, si dhe hetim për partitë politike dhe procesin kriminal të privatizimeve që shkatërruan ndërmarrjet strategjike,” – tha Ademi.
Ai shtoi se vetëm një vetting i vërtetë, që nuk njeh ngjyra partiake, mund të ndajë të ndershmit nga të korruptuarit dhe shtetin nga bandat.
Decentralizim real dhe zhvillim i balancuar
Ademi theksoi se decentralizimi është themel i demokracisë funksionale, duke kërkuar që komunat të kenë autonomi të vërtetë dhe fuqi për zhvillim lokal.
“Decentralizimi nuk mund të mbetet një fjalë në dokumente, por duhet të jetë realitet që i jep fuqi komuniteteve dhe qytetarëve për të vendosur për fatin e tyre,” – shtoi ai.
Rruga e qartë: NATO dhe Bashkimi Europian
Në fund, Ademi e përmbylli fjalën e tij me një mesazh të prerë për orientimin strategjik të vendit:
“Rruga e Maqedonisë së Veriut është dhe do të mbetet rrugë drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian. Çdo flirtim me boshtet lindore është rrezik për shtetin dhe për të ardhmen e brezave të rinj.”
“Ne nuk i shërbejmë pushtetit, por shtetit. Nuk mbrojmë interesa partiake, por dinjitetin kombëtar dhe barazinë qytetare. Rruga jonë është e qartë: Evropa, drejtësia, barazia dhe dinjiteti qytetar,” – përfundoi Ademi.
The post Arbër Ademi: “Aleanca Kombëtare për Integrim nuk është projekt elektoral – është vizion shtetëror appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
