Auditimi gjen parregullsi në raportin e Zyrës së Kryeministrit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për Zyrën e Kryeministrit për vitin 2025, duke dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe duke evidentuar një sërë mangësish në menaxhimin e pasurive, klasifikimin ...

qershor 5, 2026 - 22:01
Auditimi gjen parregullsi në raportin e Zyrës së Kryeministrit
auditimi-gjen-parregullsi-ne-raportin-e-zyres-se-kryeministrit

auditimi-gjen-parregullsi-ne-raportin-e-zyres-se-kryeministrit

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për Zyrën e Kryeministrit për vitin 2025, duke dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe duke evidentuar një sërë mangësish në menaxhimin e pasurive, klasifikimin e shpenzimeve dhe zbatimin e rekomandimeve të mëhershme.

Sipas raportit, gjetja kryesore që ka ndikuar në opinionin e auditimit lidhet me regjistrimin e pasurive. Auditorët kanë konstatuar se pasuri kapitale në vlerë prej 465,768 eurosh të blera gjatë vitit 2025 nuk ishin regjistruar në regjistrat përkatës, ndërsa pasuri jo-kapitale në vlerë prej 6,752 eurosh ishin regjistruar gabimisht në sistemin SIMFK, raporton IndeksOnline.

Raporti thekson se pjesa më e madhe e vlerës së paregjistruar lidhet me një softuer të blerë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vlerë prej 461,920 eurosh, i cili nuk ishte evidentuar në regjistrin e pasurive kapitale. Po ashtu, Instituti i Kosovës për Krime Lufte nuk kishte regjistruar pasuri në vlerë prej 3,658 eurosh, ndërsa Agjencia për Barazi Gjinore kishte regjistruar gabimisht pasuri prej 6,752 eurosh në dy sisteme të ndryshme.

Një tjetër gjetje lidhet me klasifikimin jo adekuat të shpenzimeve. Auditimi ka evidentuar pagesa në vlerë prej 21,852 eurosh të regjistruara në kategori të pasakta ekonomike, duke ndikuar në raportimin financiar të institucionit.

Auditorët kanë konstatuar gjithashtu se ZKM nuk ka përdorur në mënyrë të rregullt modulin e e-prokurimit për menaxhimin dhe monitorimin e kontratave. Nga pesë rastet e testuara, në katër raste nuk ishte përdorur moduli për menaxhimin e kontratave dhe nuk ishte bërë vlerësimi i performancës së kontraktorëve në sistemin elektronik të prokurimit.

Raporti evidenton edhe vonesa në pagesën e obligimeve. Në tre raste të testuara, pagesat për faturat e pranuara nuk ishin realizuar brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, me vonesa që varionin nga 14 deri në 30 ditë.

Sa i përket menaxhimit të buxhetit, Zyra e Kryeministrit kishte në dispozicion një buxhet final prej 13.8 milionë eurosh gjatë vitit 2025, nga të cilat janë shpenzuar rreth 11.5 milionë euro, ose 83 për qind e buxhetit të planifikuar.

ZKA-ja ka bërë të ditur se raporti i auditimit për vitin paraprak kishte përmbajtur pesë rekomandime kryesore, por deri në auditimin e vitit 2025 vetëm një rekomandim ishte zbatuar, ndërsa katër të tjera janë përsëritur për shkak të mungesës së veprimeve konkrete nga menaxhmenti.

Auditorët kanë rekomanduar forcimin e kontrolleve të brendshme, regjistrimin e saktë të pasurive, klasifikimin korrekt të shpenzimeve, përdorimin e plotë të sistemit të e-prokurimit dhe respektimin e afateve ligjore për pagesën e obligimeve


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.