BDI-Çair: Ndërtimet e paligjshme vazhdojnë, premtimi i Mexhitit për ndaljen e kaosit urban ishte mashtrim
Bashkimi Demokratik për Integrim, Dega Çair, ka akuzuar pushtetin lokal për vazhdim të ndërtimeve të paligjshme në territorin e komunës, duke theksuar se një nga plagët më të mëdha urbane The post BDI-Çair: Ndërtimet e paligjshme vazhdojnë, premtimi i Mexhitit për ndaljen e kaosit urban ishte mashtrim appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Bashkimi Demokratik për Integrim, Dega Çair, ka akuzuar pushtetin lokal për vazhdim të ndërtimeve të paligjshme në territorin e komunës, duke theksuar se një nga plagët më të mëdha urbane të Çairit mbetet ndërtimi i objekteve kolektive mbi tokë shtetërore, në bashkëpunim me drejtues komunalë.
“Në Çair, një nga plagët më të mëdha urbane ka qenë ndërtimi i paligjshëm i objekteve kolektive mbi tokë shtetërore, në koordinim me drejtues komunalë. Skema ka qenë e qartë: objektet ndërtohen pa leje, më pas paraqiten si të ndërtuara para vitit 2011, duke përdorur numra arkivi të rremë, për t’u futur në procesin e legalizimit dhe për të shmangur pagesën e miliona eurove në taksa dhe detyrime ndaj shtetit,” thuhet në reagimin e BDI-Çair.
Nga kjo degë rikujtojnë se pas ndërhyrjes së Prokurorisë dhe nisjes së hetimeve për këtë fenomen, kryetari i komunës, Izet Mexhiti, kishte premtuar publikisht ndalimin përfundimtar të ndërtimeve të paligjshme, duke e bërë këtë një nga zotimet e tij kryesore elektorale.
“Z. Mexhiti premtoi publikisht se ndërtimet e paligjshme në Çair do të ndaleshin një herë e përgjithmonë. Sot, vetëm tre muaj pas zgjedhjeve, realiteti është krejt i kundërt,” thekson BDI-Çair.
Sipas tyre, aktualisht në Çair po ndërtohen të paktën gjashtë objekte banesore të reja, ndërsa dy prej tyre po ngrihen mbi ndërtime tashmë të paligjshme.
“Në Çair janë duke u ndërtuar të paktën gjashtë objekte banesore të reja, ndërsa dy prej tyre po ndërtohen mbi ndërtime tashmë të paligjshme. Kjo dëshmon se premtimi për ndalimin e kaosit urban ishte vetëm një mashtrim politik,” thuhet në deklaratë.
BDI vlerëson se këto ndërtime përbëjnë jo vetëm shkelje ligjore, por edhe rrezik serioz për rendin urban dhe sigurinë e qytetarëve.
“Këto ndërtime janë goditje direkte ndaj rendit urban, sigurisë së qytetarëve dhe barazisë para ligjit. Çdo objekt i ngritur në këtë mënyrë është një sinjal se ligji vlen për qytetarët e zakonshëm, por jo për ndërtuesit e lidhur me pushtetin lokal,” thekson reagimi.
BDI-Çair kërkon ndalim të menjëhershëm të të gjitha punimeve dhe veprim urgjent nga institucionet kompetente.
“Kërkojmë ndalim të menjëhershëm të të gjitha punimeve në këto objekte. Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit, Prokuroria dhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve duhet të veprojnë pa vonesë dhe të zhvillojnë hetim të plotë për mënyrën se si janë lëshuar dokumentet dhe kush i ka firmosur ato,” thuhet në fund të reagimit.
“Çairi nuk mund të jetë pronë private e askujt. Qytetarët meritojnë ligj, rregull dhe siguri, jo ndërtime të paligjshme dhe marrëveshje në errësirë,” përfundon BDI-Çair.Gazeta Flaka
The post BDI-Çair: Ndërtimet e paligjshme vazhdojnë, premtimi i Mexhitit për ndaljen e kaosit urban ishte mashtrim appeared first on Flaka, në çdo lajm... .