BDI: Hetim urgjent, të detajuar dhe transparent për rolin e agjencisë “Rubikon” dhe MPB-së në tragjedinë në Koçan
Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate publike ngre çështjen e rolit të agjencisë së sigurimit “Rubikon” dhe MPB-së në tragjedinë e zjarrit në Koçan. Sipas partisë, në protestën e organizuar nga familjarët e të rinjve që humbën tragjikisht jetën në Koçan, para dy ditësh, u paraqitën informacione tronditëse të cilat deri më tani nuk […]


Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate publike ngre çështjen e rolit të agjencisë së sigurimit “Rubikon” dhe MPB-së në tragjedinë e zjarrit në Koçan. Sipas partisë, në protestën e organizuar nga familjarët e të rinjve që humbën tragjikisht jetën në Koçan, para dy ditësh, u paraqitën informacione tronditëse të cilat deri më tani nuk janë mohuar dhe as shpjeguar nga institucionet kompetente, shkruan Portalb.mk.
“Prindërit e viktimave publikisht shtrojnë pyetje për rolin e agjencisë së sigurimit “Rubikon” dhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Këto pyetje e vendosin Ministrinë e Brendshme në qendër të përgjegjësisë“, thuhet në komunikatën e BDI-së.
“Prandaj, Bashkimi Demokratik për Integrim u drejton pyetje të drejtpërdrejta institucioneve kompetente, për të cilat opinioni publik ende pret përgjigje: A ka pasur “Rubikon” licencë të vlefshme për të vepruar si agjenci sigurimi? Sa prej të punësuarve të saj janë të licencuar dhe çfarë trajnimi kanë marrë? Cilat objekte apo ngjarje të tjera i ka siguruar kjo agjenci? A ka qenë ndonjëherë objekt i kontrollit inspektues? Kush e ka realizuar kontrollin dhe me çfarë rezultatesh? Pse policia nuk ka reaguar, edhe pse në objektin – nën sigurimin e “Rubikon” – ka pasur të mitur pas mesnate, shitje dhe konsum të lirë të alkoolit, përdorim të mjeteve piroteknike dhe prishje të rendit publik? Këto nuk janë pyetje me karakter politik ditor, por kërkesa për llogaridhënie elementare institucionale”, thonë nga BDI.
BDI kërkon hetim urgjent, të detajuar dhe transparent për rolin e agjencisë “Rubikon” në tragjedi, për lidhjet e saj me institucionet shtetërore dhe për dështimin e MPB-së për të vepruar në mënyrë adekuate.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.