BDI: VLEN hesht 24 orë pas kërkesës për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj heshtjes së koalicionit VLEN, duke theksuar se kanë kaluar 24 orë nga kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa nga VLEN ende nuk ka asnjë qëndrim publik, pë...

gusht 21, 2026 - 11:30
BDI: VLEN hesht 24 orë pas kërkesës për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj heshtjes së koalicionit VLEN, duke theksuar se kanë kaluar 24 orë nga kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa nga VLEN ende nuk ka asnjë qëndrim publik, përcjell Zhurnal.mk.

Nga BDI akuzojnë se VLEN po shmang përballjen me qytetarët dhe testimin e mbështetjes së tyre përmes zgjedhjeve.

“Kaluan 24 orë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga VLEN ende asnjë fjalë. Ata që e shkelën legjitimitetin, tani fshihen sapo kërkohet që të maten para qytetarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas partisë opozitare, VLEN është i vetëdijshëm se nuk gëzon mbështetjen e shumicës së votuesve shqiptarë dhe për këtë arsye, siç pretendojnë nga BDI, po hesht ndaj kërkesës për zgjedhje të parakohshme.

“VLEN e di se nuk e ka pasur dhe nuk e ka mbështetjen e shqiptarëve. E di se pushteti i tij mbështetet mbi mëshirën e padroneve politikë dhe mbi shkeljen e votës së lirë”, theksohet më tej në reagim.

Nga BDI i bëjnë thirrje VLEN-it që, nëse kanë marrë miratimin nga partnerët e tyre qeveritarë, të pranojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Nëse kanë marrë leje, le t’i pranojnë zgjedhjet e parakohshme. Heshtja e tyre tashmë është përgjigje: kanë frikë nga qytetarët dhe nga verdikti që i pret”, përfundon reagimi i BDI-së. përcjell Zhurnal.mk .


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.