Berisha për zgjedhjet në Kosovë: Shembull i qeverisjes demokratike, në Shqipëri farsë elektorale
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka përgëzuar Kosovën për zhvillimin e zgjedhjeve të fundit, duke i cilësuar ato si një shembull të qeverisjes demokratike dhe respektimit të standardeve evropiane. Berisha shprehet se procesi zgjedhor në Kosovë është dëshmi e pjekurisë politike dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve, ndërsa e krahasoi atë me


Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka përgëzuar Kosovën për zhvillimin e zgjedhjeve të fundit, duke i cilësuar ato si një shembull të qeverisjes demokratike dhe respektimit të standardeve evropiane.
Berisha shprehet se procesi zgjedhor në Kosovë është dëshmi e pjekurisë politike dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve, ndërsa e krahasoi atë me situatën në Shqipëri, ku sipas tij, zgjedhjet mbeten një farsë elektorale e kontrolluar nga qeveria.
“Edhe njëherë, dhe shumë herë, duhet të urojmë Kosovën për zgjedhjet model që ka zhvilluar. Ndaj dhe në vlerësimin që bënte një institut shumë prestigjioz, qeverisja e Kosovës dilte 3 herë më afër qeverisjes demokratike evropiane se sa Shqipëria. 3 herë më afër.
Qeverisja e një vendi që ka 17-18 vite pavarësi, krahasuar me një vend që ka 100 e ca vite pavarësi. Ishte tregues jashtëzakonisht domethënës. Qytetarët e Kosovës votuan të lirë.
Zgjodhën kryetarët që deshën, pati komuna në të cilat fituan krejtësisht të pavarur vetëm me emrin dhe personalitetin e tyre, në rivalitet më partitë e mëdha. Dhe gjithçka u zhvillua në standardet e ligjit, e kundërta e asaj që ndodh me zgjedhjet në Shqipëri, ku narkoshteti dikton çdo gjë.
Ku bëhen përpjekje titanike për të legjitimuar farsën elektorale dhe që është përgjegjësia jonë më madhore për t’u ngritur dhe luftuar kundër saj. Mesazhi i Kosovës është një kushtrim për ne.
Unë dua t’i përgëzoj edhe njëherë me gjithë zemër, edhe në emër tuaj dhe në emër të të gjithë atyre që përfaqësojmë, për këtë sukses, i cili është një kushtrim për të gjithë shqiptarët.”, tha Berisha.
