NGA NJU JORKU KORRESPODENTI I INA-S, BEQIR SINA

Republikan e Demokrat në “luftë civile”të brendshme për kontroll. Hetimet ndaj Trump, administratës dhe familjes, përplasje e ashpër dhe kthesë e fortë për Ukrainën, NATO-n e Kosovën në sesionin e 120-të që nisë me 3 janar 2027.

Fitoret e demokratëve më 3 nëntor 2026 u dhanë shumicën e plotë në të dy dhomat. Kongresi i 120-të, që nis më 3 janar 2027, do të operojë nën kontroll të demokratve.

Ky kalim riorganizon menjëherë strukturën e komisioneve, fuqinë e subpoena-ve (urdhër detyrues për dëshmi) dhe axhendën e hetimeve mbi administratën dhe familjen Trump.

Procesi organizativ ka nisur gjatë sesionit “lame-duck” (periudha pas zgjedhjeve deri në betimin e të rinjve).

Demokratët zgjedhin liderët, me Hakeem Jeffries si kandidat kryesor për Speaker, dhe caktojnë anëtarët e komisioneve. Subpoena-t me fuqi të plotë presin betimin e anëtarëve të rinj. Hetimet priten të nisin në fund të janarit ose shkurt 2027.

Hegseth nën presion, Massie sulmon dhe Trump mbetet në qendër të stuhisë

Në Dhomën e Përfaqësuesve, Robert Garcia pritet të kryesojë Komisionin e Mbikëqyrjes, me fokus te marrëdhëniet e familjes Trump me biznesin.

Në Senat, Jack Reed dhe të tjerë shprehin interes për konfliktin me Iranin, kontrata mbrojtëse dhe rolin e sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth.

Diskutimet për impeachment nuk përjashtohen. Republikanët paralajmërojnë hetime të kundërta. Përplasja do të jetë e dyanshme.

Humbja e thellë ka hapur çarje brenda Partisë Republikane.

Zëvendëspresidenti JD Vance fajësoi konfliktin me Iranin. Debate të ashpra zhvillohen midis konservatorëve tradicionalë dhe linjës MAGA.

Pete Hegseth mbetet nën presion.

Më 9 nëntor, kongresisti Thomas Massie paraqiti tetë akuza për shkarkimin e Hegsethit, lidhur me luftën kundër Iranit, sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafikim droge dhe operacionet në Jemen e Venezuelë.

Më 10 nëntor, Hegseth e cilësoi nismën si spektakël politik dhe përmendi intervenimin në Kosovë më 1999 si shembull se asnjë sekretar i Mbrojtjes nuk ishte shkarkuar për operacione ushtarake.

Po atë mbrëmje, Dhoma e Përfaqësuesve votoi 211 kundër 204 për t’ia kaluar rezolutën Komisionit për Drejtësi, duke e bllokuar votimin e menjëhershëm. Massie ishte i vetmi republikan që kundërshtoi.Presidenti Trump, e përshëndeti rezultatin.

Me kontrollin demokrat nga janari, çështja mund të rikthehet. Në krahun demokrat, fitorja ka theksuar ndarjet e brendshme.

Progresistët e shohin si vërtetim të axhendës së majtë, ndërsa moderatët pretendojnë se erdhi nga qasja më e gjerë. Fusha për 2028 mbetet e hapur.

Demokratët ndryshojnë rrjedhën: Ukraina, NATO dhe veçanërisht Kosova në prioritet

Ky kalim nga republikanët te demokratët ka implikime të drejtpërdrejta për Ballkanin.

Investimet e Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Sazan e Zvërnec janë rikthyer në vëmendje nga senatori Jon Ossoff dhe kongresmeni Jamie Raskin, në natën e fitores paralelisht me protestat e “Revolucionit Flamingo” dhe hetimet e SPAK-ut.

Kongresi demokrat pritet të rrisë mbikëqyrjen mbi transparencën dhe sundimin e ligjit, korrupsionin e narko/trafikun.

Në Serbi, Lista Studentore fitoi shumicë të qartë më 25 tetor 2026, duke i dhënë fund dominimit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiç.

Që nga dita e dytë pas zgjedhjeve, kanë nisur valë arrestimesh: mbi 90 persona, përfshirë oficerë të lartë të policisë, bankierë dhe zyrtarë, të dyshuar për korrupsion, dhunë ndaj protestuesve dhe keqpërdorim detyre.

Hetimet e vjetra po rihapen.

Për kongresin e ri qëndrimi i qeverisë së re serbe ndaj Kosovës dhe sankcioneve ndaj Rusisë mbetet i pasigurt.

Demokratët ndryshojnë thelbësisht nga republikanët për tre çështje kryesore.

Për Ukrainën, ata mbrojnë ndihmën e vazhdueshme ushtarake dhe financiare, ndërsa shumë republikanë kërkojnë kufizime. Për NATO-n, demokratët insistojnë në angazhim të plotë dhe zgjerim, kundër skepticizmit izolacionist.

Veçanërisht për Kosovën, ata mbeten mbrojtësit më të vendosur të pavarësisë dhe intervenimit të 1999-ës.

Në Kongresin e 120-të pritet që të shtyjnë rezoluta dhe masa konkrete që republikanët kanë bllokuar.

Kongresi demokrat pritet të intensifikojë presionin për reforma, llogaridhënie dhe parandalimin e ndikimit rus e kinez në rajon. Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe prania e KFOR-it mbeten prioritete, por me theks më të fortë në demokratizim dhe transparencë.

Kongresi i 120-të hap një fazë të re tensioni institucional në Uashington, me pasoja që pritet të shtrihen deri në Ballkanin perendimor. (INA)

Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.