Drin Ahmeti nuk do të ndiqet penalisht për rastin me fishekzjarrët, Prokuroria: Nuk ishin në sasi të madhe që mund të iniciojnë ndjekje
Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale e nipit të kryetarit të BDI-së, Drin Ahmeti, në lidhje me mjetet piroteknike që iu kapën në mbrëmjen e 30 dhjetorit të vitit 2023, në veturën e tij Range Rover me targa të Shqipërisë, gjatë një kontrolli të policisë në Shkup. Nga Prokuroria për Alsat theksojnë se sipas raportit, […]
Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale e nipit të kryetarit të BDI-së, Drin Ahmeti, në lidhje me mjetet piroteknike që iu kapën në mbrëmjen e 30 dhjetorit të vitit 2023, në veturën e tij Range Rover me targa të Shqipërisë, gjatë një kontrolli të policisë në Shkup. Nga Prokuroria për Alsat theksojnë se sipas raportit, fishekzjarrët që janë gjetur dhe marrë, nuk janë në sasi të madhe të cilat mund të iniciojnë ndjekje penale dhe përgjegjësi eventuale penale, ndërkaq në favor të asaj flet edhe fakti që Ministria e Punëve të Brendshme si organ përkatës për ngjarjen ka dorëzuar njoftim, dhe jo kallëzim penal deri në Prokurori.
“Gjatë procedurës është konstatuar se nuk janë të plotësuara veçoritë e veprës penale – Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim me armë dhe materie shpërthyese nga neni 396 i Kodit Penal, as çfarëdo vepre tjetër penale për të cilën, ndjekja ndërmerret sipas detyrës zyrtare. Eksperti ka kryer ekspertizë dhe analizë të mjeteve të konfiskuara piroteknike dhe ka konstatuar në detaje dhe në mënyrë të veçantë për çdo mjet se për çfarë prodhimi piroteknik bëhet fjalë. Sipas ekspertizës së kryer, në rastin konkret bëhet fjalë për 7 pushkaliqe dhe 15 kuti me raketa fishekzjarrësh, shkrepjet e të cilave janë evidentuar në mënyrë të veçantë, por në thelb janë të lidhura dhe paraqesin një tërësi”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.
Sidoqoftë, një lëndë tjetër është në procedurë parahetimore për Drin Ahmetin. E njëjta ka të bëjë me transaksionet financiare të Ahmetit. Pas shumë muajsh hetime, një pjesë e madhe e dokumentacionit të kërkuar është siguruar dhe analizuar, ndërsa analiza e pjesës tjetër pritet të përfundojë së shpejti. Nga dokumentacioni i mbledhur deri tani, ka dalë nevoja për ndihmë juridike ndërkombëtare nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të verifikuar informacionet që mund të jenë të rëndësishme për hetimin.
Drin Ahmeti, nipi i udhëheqësit të BDI-së Ali Ahmeti, djali i vëllait të tij Fekri, vitin e kaluar u bë pronar i qendrës së biznesit “Soravia”.
Dyshohet se ai ka fituar tenderë në kurriz të xhaxhait të tij, Ali Ahmeti, mirëpo Drin Ahmeti e ka mohuar lidhjen e liderit të BDI-së me biznesin e tij.
Policia e Maqedonisë së Veriut, nga ana tjetër, në korrik, ngriti kallëzim penal ndaj nipërve të Ali Ahmetit, përkatësisht Drin Ahmetit dhe vëllait të tij, nën dyshimet për përfitime të kundërligjshme gjatë shfrytëzimit të koncesionit në Zajaz.
“Kallëzim penal ndaj 26 vjeçari D.A. dhe 34 vjeçarit B.A. nga Kërçova, për shkak ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës dhe autoritet zyrtar”, e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal”, sqaroi Policia.
Ata dyshohet se nga viti 2016 kanë përfituar materialisht në kundërshtim me Ligjin për burime minerale dhe Marrëveshjen për koncesion për shfrytëzimin e një lokaliteti në Zajaz. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar ndërmjet subjektit juridik nga Kërçova dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Ministrisë së Ekonomisë e udhëhequr atëkohë nga Kreshnik Bekteshi.