Transport ndërurban të subvencionuar për studentët, propozoi Forumi për Ndryshime në Arsim
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) e prezantoi sot nismën e tyre për transport të subvencionuar ndërurban për studentët që studiojnë jashtë vendbanimit të tyre. Bëhet fjalë për një nismë që, siç thanë ata, ka të bëjë me lehtësimin e ngarkesës financiare për studentët, në mënyrë që transporti ndërurban të bëhet më i lirë dhe […]
Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) e prezantoi sot nismën e tyre për transport të subvencionuar ndërurban për studentët që studiojnë jashtë vendbanimit të tyre. Bëhet fjalë për një nismë që, siç thanë ata, ka të bëjë me lehtësimin e ngarkesës financiare për studentët, në mënyrë që transporti ndërurban të bëhet më i lirë dhe më i aksesueshëm, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
“Hulumtimet tona treguan se, për shembull, në UKM – nga 25.000 studentë të ciklit të parë gjysma nuk janë nga Shkupi, gjegjësisht atyre u duhet të udhëtojnë për t’i ndjekur ligjëratat. Kështu është edhe me universitetet e tjera në vend. Fatkeqësisht, çmimi mesatar, në ditë, për udhëtim është rreth 500 denarë, që është shumë shtrenjtë për një student që nuk është i punësuar dhe nuk ka financa të mjaftueshme për ta përballuar atë ngarkesë”, tha Blendi Hodai, drejtori ekzekutiv i Forumit për Ndryshime në Arsim.
Arsyet e kësaj nisme janë çmimet e larta të biletave të autobusëve për transportin ndërurban, të cilat mbetën të larta edhe pas përfundimit të krizës së naftës.
“Që nga viti 2022 kur filloi agresioni rus në Ukrainë, ka pasur një rritje prej 40 përqind të çmimeve të biletave si pasojë e krizës së atëhershme me karburantet. Tani nuk ka më krizë me çmimet e karburanteve, çmimet janë normalizuar, por çmimet e biletave jo. Studentët përsëri duhet të paguajnë çmime të larta përsa i përket udhëtimit”, deklaroi Hodai.
Nisma për transportin e subvencionuar të studentëve është modeluar sipas programit të transportit të të rinjve në Slloveni, i cili u miratua me Ligjin e Transportit Rrugor atje.
Propozimi është që masa të dedikohet për studentët e rregullt të universiteteve në Maqedoninë e Veriut dhe të zbatohet përmes dy opsioneve të pranueshme: bileta për 10 udhëtime në muaj me çmim prej 1.100 denarësh, e dedikuar për studentët që udhëtojnë më rrallë dhe biletë mujore pa kufi me çmim prej 2.150 denarësh – për studentët që udhëtojnë çdo ditë.
“Kjo do të kontribuojë në uljen e ngarkesës financiare që e kanë studentët në vendin tonë. Sipas hulumtimeve tona, që një student të përfundojë studimet në vendin tonë, i nevojiten deri në 11 mijë euro për katër vjet, që është një shumë e madhe”, thotë Hodai.
Sipas Dokumentit të Politikës Publike të prezantuar, transporti i subvencionuar i studentëve do të zbatohej përmes një partneriteti publik-privat ndërmjet qeverisë dhe kompanive private të autobusëve.
“Qeveria do ta subvencionojë diferencën mes taksës fikse të studentëve dhe shpenzimeve të transportit, duke siguruar qëndrueshmëri financiare për transportuesit me autobusë. Programi do t’u mundësojë studentëve të udhëtojnë në çdo linjë autobusi ndërurban në të gjithë shtetin, pavarësisht operatorit, duke krijuar kështu kushte për transport të thjeshtë”, thuhet në Dokumentin për Politika Publike “Transporti i subvencionuar i studentëve”.
Në panelin që pasoi prezantimin e nismës për transport të subvencionuar ndërurban për studentët, fjalën e mori edhe koordinatorja e Klubit të Parlamentit për Çështje dhe Politika të Rinisë, Dragana Bojkovska, zëvendësministri i arsimit dhe shkencës, Lulzim Aliu, deputetja Monika Zajkova dhe kryetari i Trupit Kombëtar Studentor, Aleksandar Nikollovski.
Në fokus të diskutimit ishin mundësitë e realizimit të transportit të subvencionuar të studentëve, por edhe gjendja dhe sfidat e standardit studentor në vend.
Të gjithë folësit e përshëndetën nismën dhe njoftuan shqyrtimin e saj në Kuvend.
Një nga propozimet e panelit ishte të bëhet lidhja e transportit të subvencionuar të studentëve me Kartën Evropiane të Rinisë që ekziston në vend. Mirëpo, nxënësit e pranishëm ndanë përvojat e tyre, sipas të cilëve përkundër ekzistencës së kartës, ajo nuk funksionon në praktikë.
Meta.mk ka shkruar më shumë herë për çmimet e larta të biletave të autobusëve për transport ndërurban, si dhe për Kartën jofunksionale Evropiane të Rinisë.
Nga ana tjetër, vitin e kaluar akademik studentët morën kompensim financiar nga shteti për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të transportit ndërurban. Nxënësit që i plotësonin kushtet për shtatë muaj morën nga 1200 denarë.
Në pyetjen e një gazetari se pse Qeveria nuk e vazhdon këtë masë, kryetarja e Klubit të Parlamentit për Çështje dhe Politika të Rinisë dhe deputete nga VMRO-DPMNE, Dragana Bojkovska tha:
“Kjo është arsyeja pse ne jemi sot këtu për të diskutuar për këtë temë. Madje, mendoj se duhet të bëjmë një hap përpara për ta përpunuar këtë temë dhe për të parë se ku mund të përmirësohemi – cilat janë kushtet që ka vetë shteti dhe bashkërisht të japim një masë përfundimtare. Tani në ditët e kaluara na ka arritur kjo masë që na është prezantuar, ndaj vlerësoj që në këtë debat dhe në periudhën e ardhshme do të kemi një bashkëpunim shumë të mirë që masa të përpunohet”.
Me nismën TSS, Forumi për Ndryshime në Arsim pritet të ulet presioni mbi buxhetet familjare, të inkurajohet zhvillimi i një fuqie punëtore të kualifikuar dhe të përforcohet bashkëpunimi midis institucioneve publike dhe operatorëve privatë të transportit.