Eksperti i mbrojtjes, koloneli i paqes, barazisë dhe drejtësisë

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut sot kanë më pak një nga profesionistët më të veçantë të gjeneratës së tij në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombetare. Kolonel Dr. Muhaedin Bela, oficer me karrierë të gjatë ushtarake, arsimim të avancuar ...

tetor 4, 2026 - 18:30
Eksperti i mbrojtjes, koloneli i paqes, barazisë dhe drejtësisë

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut sot kanë më pak një nga profesionistët më të veçantë të gjeneratës së tij në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombetare. Kolonel Dr. Muhaedin Bela, oficer me karrierë të gjatë ushtarake, arsimim të avancuar në institucione vendore dhe ndërkombëtare, përvojë në bashkëpunimin me strukturat amerikane të mbrojtjes dhe sigurisë dhe me një angazhim të dokumentuar për profesionalizëm dhe barazi institucionale, i jep fund një karriere që për dekada e lidhi me Armatën dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Maqedonisë.

Por historia e tij nuk është thjesht historia e një oficeri që del në pension.

Është historia e një njeriu që, përgjatë dekadave, ndërtoi një profil profesional në vende dhe institucione ku kërkoheshin dije, përgjegjësi dhe besueshmëri pa heshtur për çështjet e barazisë dhe trajtimit institucional.

Pas tentimit te gjate institucional në fund vendosi që këtë çështje ta vazhdojë edhe ne gjyq. Pas më shumë se gjashtë vitesh beteje ligjore lidhur me pretendimet për diskriminim në Ministrinë e Mbrojtjes, dhe pas një periudhe presioni në rritje, Kolonel Bela vendosi të tërhiqej nga shërbimi.

Kështu përfundon një kapitull i gjatë profesional.

Por çfarë qëndron pas këtij emri?

Nga akademitë ushtarake te Armatа e Republikës së Maqedonisë dhe Komanda Qendrore e SHBA (USCENTCOM)

Muhaedin Bela lindi në Shkup në vitin 1966. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në Shkup, ndërsa më pas vazhdoi shkollimin ushtarak në Akademinë e Aviacionit Ushtarak dhe Mbrojtjes Kundërajrore në Sarajevë dhe Zarë.

Pas diplomimit u gradua nëntoger dhe filloi shërbimin në Aeroportin Pleso në Zagreb. Në atë periudhë vazhdoi edhe studimet pasuniversitare, të cilat i ndërpreu për shkak të zhvillimeve dramatike në ish-Jugosllavi.

Në qershor të vitit 1991, në momentet kur konflikti dhe shpërbërja e Jugosllavisë po merrnin një drejtim të rrezikshëm, Bela u kthye në Shkup pasi nuk pranoi te luftonte për nje kauzë shkatërruese. Ishte një vendim që do të përcaktonte pjesën tjetër të karrierës së tij.

Pas apelit të subjekteve shqiptare në Republikën e Maqedonisë ai iu bashkua strukturave të sapoformuara të Armatës së Republikës së Maqedonisë dhe, nga detyra e komandantit të togut në Bazën Ajrore të Petrovecit, vazhdoi rrugëtimin profesional deri në nivelin e këshilltarit shtetëror për politika dhe planifikim në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Një karrierë e ndërtuar mbi arsimimin

Për Belën, karriera ushtarake nuk ishte kurrë e ndarë nga arsimi, sepse babi i kishte lënë amanet qe nëse kalon një ditë pa mësuar diçka të re nuk je në rrugë të drejtë.

Studimet pasuniversitare i vazhdoi në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostollski”, të cilat i përfundoi në vitin 2007. Në Institutin për Siguri, Mbrojtje dhe Paqe pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, në vitin 2009 përfundoi studimet e magjistraturës me temën “Reformat në sistemin e mbrojtjes në kontekst të anëtarësimit në NATO”.

Deri sa po vazhdonte studimet e doktoraturës në vitin 2015 përfundoi me sukses studimet në Kolegjin e Luftës në Turqi. Më pas doktoroi në vitin 2017. Një nga pikat më të rëndësishme të formimit të tij ndërkombëtar ishte pjesëmarrja në programin “Leadership in Homeland Security” në Kennedy School of Government të Universitetit Harvard, me ftesë të Prof. Steve Recca, drejtor i University and Agency Partnership Initiative (UAPI) ku morën pjesë përfaqësues të të gjitha institucioneve amerikane të sigurisë, ndërsa Bela ishte i vetmi pjesëmarrës i huaj në atë program.

Në vitin 2017 perfundoi edhe programin në Geneva Centre for Security Policy (GCSP), me fokus në rreziqet globale të sigurisë dhe raportin e tyre me Evropën.

Oficeri shqiptar në strukturat ndërkombëtare

Një kapitull i veçantë i karrierës së tij ishte shërbimi si Oficer Ndërlidhës i Republikës së Maqedonisë në Komandën Qendrore të Shteteve të Bashkuara – USCENTCOM, në Tampa, Florida, gjatë viteve 2004–2005.Ai u kthye nga kjo detyrë me referenca të shkëlqyera dhe e ka cilësuar atë si një nga përvojat më të rëndësishme të karrierës së tij. Gjatë qendrimit në SHBA zhvilloi raporte shume miqesore me komunitetin shqiptar në Amerikë.

Por angazhimi i tij ndërkombëtar nuk përfundoi aty. Bela ka bashkëpunuar me institucione dhe universitete amerikane dhe evropiane, ka ligjëruar në Universitetin FON dhe Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik, ndërsa ka qenë mysafir ligjërues në Utah Valley University, ku ka trajtuar pjesëmarrjen e forcave të armatosura në misionet paqësore dhe humanitare dhe kontributin e tyre në paqen ndërkombëtare.

Ka qenë gjithashtu panelist në nje nga qendrat më prestigjioze të sigurisë, George C. Marshall European Center for Security Studies, në temën “Smart Defense”.

Përmes bashkëpunimit me Utah Valley University dhe Prof. John Fisher, ai ka kontribuar në përgatitjen e studentëve dhe komuniteteve nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova për reagimin ndaj emergjencave. Në këtë kuadër, bashkëpunimi u zgjerua edhe me institucionet e kërkim-shpëtimit dhe menaxhimit të krizave të të dyja vendeve, si dhe me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe komuna të të dyja vendeve. Një pjesë e këtyre aktiviteteve u zhvillua në kuadër të programit CERT – Community Emergency Response Team, i sponsorizuar nga FEMA.

Profesionisti që e lidhi mbrojtjen me barazinë

Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Armatë, Bela nuk ishte vetëm pjesë e strukturave operative dhe planifikuese. Ai mori pjesë në procese të rëndësishme të zhvillimit institucional të sektorit të mbrojtjes.

I vihen në pah, ndër të tjera, kontributi në themelimin e “Programit 8”, autorësia e Programit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike në Armatë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, kontributi i veçantë gati në të gjitha Programet Vjetore Kombëtare (ANP – Annual National Programme) si dhe pjesëmarrja në ekipin e ekspertëve për përpunimin e Pasqyrës Strategjike të Mbrojtjes të vitit 2004.

Ka qenë gjithashtu anëtar i Këshillit Redaktues të “Librit të Bardhë të Mbrojtjes 2012”, i cili për herë të parë u botua edhe në gjuhën shqipe.

Në vitin 2018, ai kritikoi publikisht pjesë të Pasqyrës Strategjike të Mbrojtjes që i konsideronte problematike nga aspekti i barazisë dhe përfaqësimit te drejtë dhe adekuat. Ky angazhim do të merrte më vonë një dimension shumë më personal dhe juridik.

Beteja e tij për trajtim të barabartë dhe kundër asaj që ai e konsideron diskriminim institucional përfundoi në gjykata dhe as sot pas më shumë se 6 viteve nuk ka përfunduar.

Në janar 2022, ai foli edhe publikisht për këtë çështje në Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe si dhe ne media ne Shkup gjë që u transmetua nga shumë media ballkanike.

Për Belën, kjo nuk ishte thjesht një çështje personale. Në mënyrën se si e ka shpjeguar vazhdimisht, bëhej fjalë për një parim më të gjerë: që profesionalizmi, përkatësia etnike dhe dinjiteti institucional të mos përplasen me njëri-tjetrin, por të bashkëjetojnë në një shtet demokratik, anëtar të NATO-s dhe kandidat per antaresim ne BE.

Nga bashkëpunimi ndërkombëtar te humanizmi

Jeta profesionale e Belës nuk është kufizuar vetëm në mbrojtje dhe siguri. Ai ka qenë i përfshirë në projekte arsimore, humanitare, mjedisore dhe komunitare. Ka përvojë të gjatë në botime, marketing dhe organizimin e ngjarjeve kulturore dhe humanitare, përfshirë aktivitete me karakter ndërkombëtar. Për kontributin e tij në aktivitetet humanitare është nderuar me Distinktivin e Argjendtë të Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë dhe duhet të nenvizohet kontributi i tij gjatë vitit 2024-2026 ku arriti që në bashkëpunim  me LDS Charities të sjellë rreth 500 mijë dollarë amerikanë per spitalet dhe shkollat e RMV. Aktiviteti i tij humaniar u vlerësua lart edhe nga SHBA kur gjatë qëndrimit  atje e kishte organizuar koncertin humanitar per viktimat e Tsunamit dhe mjetet ishin dërguar në fondin e presidentit Clinton.

Dr. Bela ka botuar punime në revista vendore dhe ndërkombëtare dhe ka mbështetur iniciativa që lidhin institucionet, universitetet dhe komunitetet. Në thelb të këtij angazhimi qëndron një bindje e thjeshtë: profesionalizmi ka kuptim vetëm atëherë kur shërben edhe njerëzit.

“Gjenerali i ardhshëm”

Në nëntor të vitit 2024, Kolonel Bela pati një tjetër moment të veçantë në karrierën e tij. Gjatë vizitës së gjeneralit amerikan Wesley K. Clark në Ballkan, Bela e shoqëroi atë me dinjitet dhe profesionalizem te lartë në aktivitete gjatë vizitës.

Gjatë takimit, Clark e quajti disa herë “the next general” (gjeneral i ardhshëm).

Për një oficer që kishte kaluar dekada në shërbim, që kishte studiuar në institucione ushtarake dhe akademike të niveleve të larta dhe që kishte përfaqësuar vendin e tij në struktura ndërkombëtare, ato fjalë kishin një peshë të veçantë.

Profesionalizem te larte dhe diplomaci te vecante tregoi deri te përfundimi i një kapitulli profesional që kishte nisur në akademitë ushtarake, universitete kombetare dhe nderkombetare dhe kishte kaluar nëpër Armatën e Republikës së Maqedonisë, Ministrinë e Mbrojtjes, USCENTCOM, Harvard, Gjenevë, Turqi dhe institucione të shumta ndërkombëtare.

 

Një largim i heshtur në dukje po me shumë shenja pune e kontributi

Dr. Bela këto ditë doli në pension. Detyrat e mbetura ua kaloi kolegëve. Shumicën e materialeve dhe përgjegjësive i sistemoi. Lulet dhe gjesendet tjera me te cilat kishte punuar ose sherbyer ua shperndau kolegëve. Pa ceremoni të madhe. Pa zhurmë.

Një largim i heshtur pas një karriere të zhurmshme me përvoja, udhëtime, institucione, akademi, misione dhe beteja. Ndoshta kjo është mënyra më e mirë për ta kuptuar Muhaedin Belën. Jo vetëm përmes gradave që mbajti, institucioneve ku studioi apo njerëzve me të cilët bashkëpunoi, por përmes asaj që zgjodhi të bëjë kur rruga u bë më e vështirë.

Ai zgjodhi të vazhdojë të mësojë. Të punojë.Të bashkëpunojë. Të ndihmojë. Dhe, kur e konsideroi se një parim themelor ishte cenuar, zgjodhi të flasë dhe ta çojë çështjen deri në institucionet e drejtësisë.

Një amanet që nuk harrohet

Në faqen e parë të disertacionit të doktoraturës së tij, Bela kishte vendosur një thënie të Nënë Terezës: “Jo secili nga ne mund të bëjë vepra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë vepra të vogla me dashuri të madhe.”Gje qe e kerkon nga te gjithe miqte e dashamiret. Disertacionin ua kushtoi prindërve të tij, Zenunit dhe Xhemazires bashkeshortes Nora dhe djalit Flamurit. Nga babai kishte marrë një amanet të thjeshtë: Lexoni dhe hulumtoni. Luftoni për drejtësi. Dhe kujdesuni për lulet.

Ndoshta është pikërisht kjo fjali që e përmbledh më mirë gjithë rrugëtimin. Një oficer që studioi në akademi ushtarake, në kolegje lufte, në Harvard dhe në Gjenevë.Një profesionist që përfaqësoi vendin në një nga komandat më të rëndësishme ushtarake amerikane. Një pedagog dhe bashkëpunëtor ndërkombëtar. Një njeri që u përfshi në projekte për mbrojtjen, sigurinë, arsimin, emergjencat dhe komunitetin.

Dhe një kolonel që, gjate karrierës, zgjodhi të mos e lërë pas bindjen se drejtësia dhe barazia janë më të mëdha se një detyrë, një gradë apo një zyrë.

Muhaedin Bela largohet nga shërbimi aktiv. Por historia e tij profesionale nuk përfundon me pensionimin. Sepse gradat dalin në pension. Parimet jo.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.