Filipçe paralajmëroi ndryshime politike dhe kadrovike në LSDM

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në një deklaratë për mediat pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, tha se partia ka shënuar rritje në disa komuna, por edhe se ka zona ku rezultatet janë më të dobëta — gjë që, sipas tij, tregon qartë se çfarë duhet ndryshuar. “Vitin e kaluar e gjeta partinë në […]

tetor 26, 2025 - 14:30
 0
Filipçe paralajmëroi ndryshime politike dhe kadrovike në LSDM

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në një deklaratë për mediat pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, tha se partia ka shënuar rritje në disa komuna, por edhe se ka zona ku rezultatet janë më të dobëta — gjë që, sipas tij, tregon qartë se çfarë duhet ndryshuar.

“Vitin e kaluar e gjeta partinë në një gjendje vërtet të rëndë dhe të keqe, pas një humbjeje me diferencë prej 300 mijë votash. Gjatë vitit e gjysmë të fundit kam punuar intensivisht në të gjitha organizatat komunale, me mijëra anëtarë – përmes kontakteve të drejtpërdrejta, takimeve dhe mbledhjeve,” deklaroi Filipçe.

Ai theksoi se LSDM ka fituar zgjedhjet për kryetar komune në disa komuna dhe se në 16–17 komuna të tjera partia ka kaluar në raundin e dytë, ku është vërejtur rritje e ndjeshme e mbështetjes.

“Në disa komuna numri i votave është rritur me 40–50 për qind, e diku madje është dyfishuar, gjë që tregon se puna ka dhënë efekt. Por ka edhe komuna, sidomos në Shkup, ku kjo nuk ndodhi,” shtoi ai.

Filipçe vlerësoi se këto zgjedhje janë një tregues i mirë për drejtimin që duhet të ndjekë partia në të ardhmen.

“Është e qartë se në disa komuna nevojitet punë edhe më intensive. Këto zgjedhje janë një sinjal i qartë për mënyrën se si duhet të pozicionohemi dhe të funksionojmë në periudhën e ardhshme,” theksoi ai.

Në përfundim të deklaratës, Filipçe paralajmëroi edhe ndryshime politike dhe kadrovike pas përfundimit të procesit zgjedhor.

“Do të ketë ndryshime politike dhe kadrovike në udhëheqjen e partisë – për të cilat opinioni do të informohet me kohë,” deklaroi kryetari i LSDM-së.