Filkov: Kodi i ri Penal pres të miratohet këtë vit, tani punojmë për një zgjidhje të shkurtër ligjore
Ministria e Drejtësisë së shpejti do të dalë me një zgjidhje të shkurtër ligjore për ndryshimet në Kodin Penal ekzistues, e cila duhet të largojë pasojat e dëmshme të ndryshimeve ligjore në Kodin Penal të vitit 2023, tha ministri i Drejtësisë Igor Filkov në një intervistë për Plusinfo, transmeton Portalb.mk. “Përkufizimi i veprës penale “Keqpërdorim […]
Ministria e Drejtësisë së shpejti do të dalë me një zgjidhje të shkurtër ligjore për ndryshimet në Kodin Penal ekzistues, e cila duhet të largojë pasojat e dëmshme të ndryshimeve ligjore në Kodin Penal të vitit 2023, tha ministri i Drejtësisë Igor Filkov në një intervistë për Plusinfo, transmeton Portalb.mk.
“Përkufizimi i veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” është i një rëndësie thelbësore për funksionimin e sistemit të drejtësisë, por edhe për luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të funksioneve publike. Jam dakord që përshkrimi aktual i këtij krimi mund të ngrejë pyetje për zbatimin, veçanërisht kur bëhet fjalë për zbatueshmërinë e tij të gjerë dhe potencialin për abuzim në kontekstin e procedurave të motivuara politikisht. Ajo që është thelbësore është të jepet një përkufizim i qartë dhe i saktë, i cili jo vetëm do të përcaktojë keqpërdorimin me pozitën zyrtare, por edhe do të minimizojë rreziqet e keqpërdorimit të tij për qëllime politike apo të tjera të pabaza. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të bëhet dallimi midis krimeve reale dhe normave që përdoren për të ushtruar presion të panevojshëm ndaj individëve. Si zgjidhje për këtë çështje, Ministria e Drejtësisë po punon për një zgjidhje të shkurtër ligjore për ndryshimet në Kodin Penal, e cila duhet të heqë pasojat e dëmshme të ndryshimeve ligjore në KP nga viti 2023. Tendenca është avancimi i dispozitave për personat juridikë dhe shtrëngimi i politikës penale, duke rritur dënimet ekzistuese për krimet e “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”. Gjithashtu është planifikuar zgjerimi i fushës së krimeve për konfiskimin e zgjeruar, si dhe inkorporimi i disa krimeve të reja që janë rezultat i shoqërisë dhe teknologjisë moderne. Por shumë shpejt Qeverisë së RMV-së do t’i paraqitet një zgjidhje plotësisht e formuar ligjore”, thotë Filkov.
Sa i përket Kodit të ri Penal, Filkov pret që ai të miratohet në vitin 2025.
“Qëllimi ynë është të kemi një Kod Penal efikas dhe modern, i cili do të jetë përgjigje ndaj nevojave të shoqërisë dhe sistemit të drejtësisë. Pres që Kodi i ri Penal të miratohet në vitin 2025. Është përkthyer në anglisht, ndërsa po përfundon procesi i përgatitjes së tabelave të korrespondencës, si kërkesë e shqyrtimit dypalësh për kapitullin 23. Kodi i ri Penal duhet të harmonizohet me politikat evropiane në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. I gjithë legjislacioni ynë do të jetë i harmonizuar me direktivat dhe konventat ndërkombëtare në fuqi, për të cilat është e nevojshme të sigurohet një opinion pozitiv nga Komisioni Evropian. Për risitë që mund të priten në Kodin Penal, këto do të jenë ndryshime që do të modernizojnë dhe përmirësojnë procedurat ekzistuese, si dhe do të qartësohen dhe rregullohen në detaje disa vepra penale. Një nga çështjet kyçe është rritja e sanksioneve për krimet e rënda, veçanërisht krimin ekonomik dhe korrupsionin, që është në linjë me përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gjithashtu, ka edhe vepra të reja penale që lidhen me krimet financiare, duke përfshirë praktikën e konfiskimit të pasurisë së fituar me vepra penale, të cilat do të kontribuojnë në një efektivitet më të madh të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu duhet theksuar se Kodi i ri Penal do të hartohet në atë mënyrë që të rrisë sigurinë juridike dhe të përmirësojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht në fushën e të drejtave procedurale të të akuzuarve dhe të dënuarve”, theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
Ministria e Drejtësisë njoftoi më 31 tetor 2024 se është hartuar Kodi i ri Penal (KP). Dokumenti është përkthyer në anglisht dhe është dorëzuar për mendim në Komisionin Evropian (KE). Pasi KE të prononcohet për përmbajtjen e Kodit Penal, nëse nuk ka kundërshtime, dokumenti do të shkojë në procedurë qeveritare dhe më pas në Kuvend, ku duhet një shumicë e thjeshtë për t’u miratuar.
Ndryshe, pas marrjes së detyrës në qershor të këtij viti, ministri i Drejtësisë Igor Filkov bëri të ditur se do të ndryshohet sërish Kodi Penal, si mënyrë për të anuluar situatën e krijuar nga ndryshimet e diskutueshme të vitit të kaluar në Kodin Penal.
Pasojat e ndryshimeve në Kodin Penal (KP), të cilat parashikojnë dënime më të ulëta, por edhe vjetërsim më të shpejtë për veprat e keqpërdorimit të detyrës, punë nga pakujdesia dhe bashkimit kriminal, për herë të parë u panë 20 ditë pas miratimit të tyre. Në vend të vitit 2051, lënda për ish-anëtarin e Këshillit Gjyqësor, gjyqtarit nga Tetova Zoran Teofilovski skadoi po atë ditë, i cili gjykohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Me ndryshimet në Kodin Penal, asnjë zyrtar nuk përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 iu nënshtruan vjetërsimit (më parë vjetërsimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).
Kjo ndikoi më shumë në rastet e ish- Prokurorisë Speciale Publike, “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Thesari”, “Tarifa”, “Dizajni”, “Toplik”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Shkallët spanjolle”, “Target-Fortesa” dhe të tjera.