Fletë-pronësia në RMV prej tani është në dispozicion në portalin kombëtar për shërbime elektronike

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, mbrëmë në TV Sitel foli për shërbimet e reja të Agjencisë së Kadastrës, të cilat tashmë janë në dispozicion të qytetarëve në portalin kombëtar për shërbime elektronike, uslugi.gov.mk, si dhe në qendrat e shërbimit të ministrisë, transmeton Portalb.mk. “Fokusi ynë tani është të shkojmë në dy drejtime. Një drejtim […]

Mars 10, 2025 - 13:00
 0  4
Fletë-pronësia në RMV prej tani është në dispozicion në portalin kombëtar për shërbime elektronike
e-uslugi. Foto printscreen

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, mbrëmë në TV Sitel foli për shërbimet e reja të Agjencisë së Kadastrës, të cilat tashmë janë në dispozicion të qytetarëve në portalin kombëtar për shërbime elektronike, uslugi.gov.mk, si dhe në qendrat e shërbimit të ministrisë, transmeton Portalb.mk.

“Fokusi ynë tani është të shkojmë në dy drejtime. Një drejtim është digjitalizimi i shërbimeve që qytetarët i përdorin më së shumti për të rritur ndërgjegjësimin se shërbime të tilla elektronike ekzistojnë dhe, natyrisht, të punohet paralelisht me ato institucione që janë më të përgatitura për digjitalizimin e shpejtë të shërbimeve të tyre”, tha Andonovski në një intervistë.

Ministri theksoi bashkëpunimin me Agjencinë e Kadastrës. Fletë-pronësia dhe pesë shërbime tjera më të shfrytëzuara nga kadastra nga kjo javë janë në dispozicion në portalin uslugi.gov.mk. Në të gjitha qendrat e shërbimit në Shkup, në Komunën e Aerodromit, në Jegunovc, në Kumanovë, në Ohër, në Manastir dhe në Tetovë, qytetarët do të mund të marrin një dokument të tillë përmes një shërbimi elektronik nga kadastra.

“Kjo praktikisht do të thotë se po zgjerojmë sportelet kadastrale në të gjithë vendin dhe në qendrat tona të shërbimit”, tha ministri.

Ai gjithashtu theksoi se me ndryshimet në Ligjin për Dokumentet Elektronike nga 1 janari, çdo dokument i printuar nga portali, gjegjësisht dokument elektronik, mund të përdoret si dokument tradicional, me vulë blu.

“Që do të thotë se këto dokumente kanë një vulë elektronike, një nënshkrim elektronik, një vulë kohore që përcakton saktësisht se kush i ka prodhuar, kush e ka nënshkruar dhe në çfarë kohe, që do të thotë se kanë vlefshmëri të plotë dhe mund të përdoren”, shtoi Andonovski.

Ndryshe, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, javën e kaluar tha se këtë vit planifikojnë të hapin 10 qendra të reja shërbimi për qytetarët.