ANALIZË: Si u mbushën dhe zbrazën arkat e Komunës së Tetovës, Strugës, Çairit, Sarajit dhe Qytetit të Shkupit?
Komuna e Çairit dhe e Sarajit realizuan të hyra dhe shpenzime buxhetore nën 90%. Të rralla janë vetëqeverisjet lokale që kanë arritur ta mbledhin plotësisht ose ta tejkalojnë planin vjetor të mbledhjes së tatimit në pronë. Në këtë vazhdim të “Analizës” do të publikohen të dhënat buxhetore për Strugën, Tetovën, Çairin, Sarajin dhe Qytetin e […]


Komuna e Çairit dhe e Sarajit realizuan të hyra dhe shpenzime buxhetore nën 90%. Të rralla janë vetëqeverisjet lokale që kanë arritur ta mbledhin plotësisht ose ta tejkalojnë planin vjetor të mbledhjes së tatimit në pronë. Në këtë vazhdim të “Analizës” do të publikohen të dhënat buxhetore për Strugën, Tetovën, Çairin, Sarajin dhe Qytetin e Shkupit, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Mbledhja e tatimeve, pagesa e rrogave…
Komuna e Strugës në vitin 2024, realizoi të ardhura totale prej 93,9%. Nga ana e të hyrave, nga tatimi mbi të ardhurat janë mbledhur më shumë para se sa ishte planifikuar, ndërsa dështim ka pasur në mbledhjen e tatimit në pronë, i cili është realizuar në masën 88,2% të shumës së planifikuar. Zëri më i lartë i të ardhurave në vlerën prej 14,8 milionë eurosh janë transferimet e shtetërore. Në anën e shpenzimeve realizimi ishte 93,7%. Për pagesën e rrogave dhe kontributeve janë shpenzuar 13,9 milionë euro, ndërsa zërat me kosto më të lartë përfshijnë “objektet e tjera ndërtimore” dhe “riparimet dhe mirëmbajtja e vazhdueshme”.
Komuna e Tetovës e cila ka një nga buxhetet më të mëdha në nivel lokal, vitin e kaluar ka mbledhur 95,5% të të ardhurave vjetore të planifikuara. Kjo komunë, për sa i përket arkëtimit të tatimeve ka pasur një realizim më të lartë se sa ishte planifikuar, edhe atë konkretisht për tatimin në pronë, shkalla e arkëtimit ishte 104,5%. Shpenzimet vjetore në krahasim me planin janë realizuar në një nivel prej gati 92,8%. Pagesa e rrogave dhe kontributeve edhe në këtë komunë është zëri me kosto më të lartë, që i ka kushtuar buxhetit 22,3 milionë euro, ndërsa shuma e dytë më e madhe janë “shërbimet kontraktuale”, për të cilat janë paguar pak më shumë se 2,2 milionë euro.
Komuna e Çairit në vitin ekonomik 2024 realizoi 85,7% të të ardhurave vjetore të planifikuara. Të dhënat tregojnë se kjo te vetëqeverisje lokale ka një dështim të konsiderueshëm në mbledhjen e të gjitha tatimeve kryesore – mbi të ardhurat personale, në pronën dhe të shërbimeve specifike. Konkretisht, realizimi i mbledhjes së tatimit në pronë krahasuar me planin është 88,6%. Në anën e shpenzimeve, realizimi i buxhetit është 85,2%. Për pagesën e rrogave dhe të kontributeve janë shpenzuar 15,9 milionë euro. Rreth 1 milion euro janë shpenzuar përmes zërave “shërbime komunale, ngrohje, transport” dhe “riparimet dhe mirëmbajtja e vazhdueshme”.
Një mosrealizim të theksuar të të hyrave ka edhe Komuna e Sarajit, me një realizim vjetor prej 86,2%. Krahasuar me planin, më shumë para janë mbledhur nga tatimi mbi të ardhurat, ndërsa mbledhja e tatimit në pronë është arritur në masën 75,9%. Në anën e shpenzimeve realizimi ishte 85,9%. Për pagesën e rrogave dhe kontributeve në vitin 2024, kjo komunë ka shpenzuar 8,9 milionë euro, ndërsa zërat më të rëndësishëm shpenzues janë “punimet e tjera ndërtimore” dhe “shërbimet kontraktuale”.
Të ardhura e përgjithshme buxhetore të Qytetit të Shkupit në vitin 2024 ishin 101,8 milionë euro dhe në krahasim me planin janë realizuar me 76,8%. Nga ana e të hyrave, ka një arkëtim më të lartë se sa ishte planifikuar në bazë të tatimit mbi të ardhurat dhe tatimit për shërbime specifike, ndërsa dështim ka te tatimi në pronë, ku realizimi është 71,7%. Zëri “gjoba dhe tarifa” është realizuar me 24,6%. Në anën e shpenzimeve, buxheti i Qytetit të Shkupit vitin e kaluar është realizuar në masën 75,6%. Për pagesën e rrogave bazë dhe kontributeve janë shpenzuar 34,1 milionë euro dhe kjo shumë është më e ulët se sa ishte planifikuar në nivel vjetor. Vitin e kaluar, Qyteti i Shkupit shpenzoi më pak para se sa ishte planifikuar në pothuajse të gjitha bazat – për shërbime të kontraktuara, transferime në ndërmarrjet publike, blerje të pajisjeve, riparime. Ndër zërat me kosto më të lartë janë “subvencionet për ndërmarrjet publike”, ku realizimi është 93,1%, zëri “objekte të tjera ndërtimore” është realizuar me 78% dhe “shërbimet e kontraktuara” me 72,5%.
Në vitin 2024, në nivel shtetëror, shpenzimet e të gjitha komunave së bashku me Qytetin e Shkupit janë realizuar në masën 85,2%, ndërsa të hyrat në masën 86,5%.