

Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës për pak sa nuk e ka paguar me jetë një incident të rëndë gjatë ushtrimeve ushtarake në Babaj të Bokës, ku një municion 40 milimetërsh i prodhimit turk ka shpërthyer brenda një arme amerikane të tipit MK-19.
Lidhur me këtë ka reaguar Forca e Sigurisë së Kosovës. Sipas FSK-së rasti ka ndodhur në një nga poligonet e FSK-së.
Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, të nderuara media.
Sa i përket njoftimeve nga mediat lidhur me lëndimin e lehtë të një pjesëtari të FSK-së, gjatë trajnimit ju informojmë që rasti ka ndodhur më herët në një nga poligonet e FSK-së.
Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë realizimit të trajnimeve me municione ballafaqohet me rrezikshmëri të lartë dhe merr paraprakisht të gjitha masat e nevojshme parandaluese për menaxhimin e rrezikut, duke përfshirë pajisjet individuale dhe kolektive për mbrojtjen e personelit.
Po ashtu, në secilin aktivitet të FSK-së, konform procedurave standarde në fuqi i bashkëngjiten ekipet mjekësore për evakuim mjekësor potencial. Të gjitha masat e sigurisë janë në linjë me standardet e sigurisë të FSK-së, njëjtë sikur ato të NATO-s.
FSK është e vetëdijshme që profesioni ushtarak përbën në vete një rrezikshmëri të lartë, në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor, megjithatë në relacion me nivelin e aktiviteteve, numri i aksidenteve mbetet i vogël për shkak të masave të sigurisë në menaxhimin e rrezikut.
Njëkohësisht, FSK mbetet e përkushtuar që vazhdimisht të rrisë sigurinë dhe garantojë ruajtjen e personelit.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




