Fundi i epokës Dodik – së paku tash për tash
Vizita e Ana Trishiq Babiqit dhe Zhelka Cvijanoviqit këtë muaj në Uashington, ku takuan “persona të rëndësishëm në administratë”, dhe tërheqja disa ditë më vonë e ligjeve anti-Dejton në Republikën Sërpska. A është thjesht një rastësi, apo një tranzicion i dakorduar politik mes Millorad Dodikut dhe aktorëve ndërkombëtarë? Pyetja lind pasi Kuvendi i Republikës Sërpska


Vizita e Ana Trishiq Babiqit dhe Zhelka Cvijanoviqit këtë muaj në Uashington, ku takuan “persona të rëndësishëm në administratë”, dhe tërheqja disa ditë më vonë e ligjeve anti-Dejton në Republikën Sërpska.
A është thjesht një rastësi, apo një tranzicion i dakorduar politik mes Millorad Dodikut dhe aktorëve ndërkombëtarë?
Pyetja lind pasi Kuvendi i Republikës Sërpska anuloi të shtunën disa ligje antikushtetuese, ndërsa, një ditë më parë, Uashingtoni lehtësoi sanksionet ndaj disa bashkëpunëtorëve të afërt të Dodikut.
Analistët paralajmërojnë se Dodik “mund të jetë duke ndryshuar taktikat, në pritje të një momenti të ri të favorshëm dhe një hapësire manovruese për t’u kthyer në pushtet”.
“Strategjia e Dodikut është vetëm një pjesë e rrëfimit. Pjesa tjetër, më e rëndësishme, është sjellja e SHBA-së, BE-së dhe partive të tjera politike në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk dua të parashikoj, por për aq kohë sa ato vazhdojnë presionin, mendoj se ky mund të jetë vërtet fundi politik i Dodikut dhe është plotësisht e mundur që kjo të ndodhë pikërisht tani”, thotë për Radion Evropa e Lirë Toby Vogel, analist nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit, me seli në Bruksel.
Ana Trishiq Babiq, këshilltare për kohë të gjatë e Dodikut, u emërua presidente e përkohshme e Republikës Sërpska më 18 tetor.
Në të njëjtën ditë, Kuvendi Popullor i Republikës Sërpska anuloi ligjet që miratoi në pranverë, për të penguar funksionimin e organeve të drejtësisë dhe policisë së shtetit në territorin e këtij entiteti. Kjo, pasi Dodiku u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.
