Gjendja me energjinë elektrike, ZRRE u bën thirrje qytetarëve për kursim
Gjendja me energjinë elektrike në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësuese, me çmime të larta dhe reduktime të shpeshta të energjisë, që po ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve dhe bizneset. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka bërë thirrje të vazhdueshme për kursim të energjisë. Në një njoftim të dërguar për mediat, ZRRE


Gjendja me energjinë elektrike në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësuese, me çmime të larta dhe reduktime të shpeshta të energjisë, që po ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve dhe bizneset.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka bërë thirrje të vazhdueshme për kursim të energjisë. Në një njoftim të dërguar për mediat, ZRRE u ka kërkuar qytetarëve dhe bizneseve që të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike për të ndihmuar në përballimin e situatës.
Sipas njoftimit, ZRRE ka organizuar një takim koordinues me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përfshirë përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), si dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).
Në këtë takim, palët kanë diskutuar për situatën aktuale dhe masat që duhet të merren për të siguruar furnizimin me energji elektrike, si dhe për të menaxhuar me efikasitet burimet e energjisë. ZRRE-ja ka theksuar nevojën e vazhdueshme për kursim dhe përdorim të mençur të energjisë, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi të përbashkët për të përballuar sfidat që po hasen në sektorin e energjisë.
Me këto thirrje, ZRRE synon të lehtësojë ndikimin e reduktimeve dhe të ruajë stabilitetin e furnizimit me energji në muajt e ardhshëm.
Njoftimi i plotë:
Më 24.12.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur një takim koordinues me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përkatësisht me përfaqësuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).
Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit, një periudhë që tradicionalisht karakterizohet nga rritje e ndjeshme e konsumit të energjisë elektrike.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat kryesore me të cilat zakonisht përballet rrjeti energjetik në periudha festive, përfshirë ndikimin e kushteve klimatike dimërore në stabilitetin e prodhimit dhe transmetimit; kufizimet teknike të rrjetit dhe nevoja për balancim të vazhdueshëm ndërmjet prodhimit, importit dhe konsumit; përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe funksionimin e sigurt të sistemit rajonal të energjisë; si dhe organizimin institucional gjatë periudhës së pushimeve dhe zgjedhjeve qendrore.
Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të licencuara prezantuan kapacitetet teknike dhe operative për përballimin e ngarkesave të shtuara, si dhe masat parandaluese që janë ndërmarrë për të garantuar stabilitetin e furnizimit. ZRRE ka kërkuar nga operatorët përgjegjës hartimin dhe përditësimin e planeve të menaxhimit të gjendjes, përfshirë skenarë të mundshëm dhe planifikim paraprak të masave, në rast të situatave të paparashikuara.
ZRRE u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që gjatë kësaj periudhe të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike. Kursimi i energjisë, veçanërisht në orët e kërkesës maksimale (pikut), kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit dhe në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm për të gjithë konsumatorët.
Zyra e Rregullatorit për Energji do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë operatorët e sektorit për të garantuar furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike.
