Gjermania po ndryshon: Ku hapen vendet e reja të punës?

Thuajse çdo javë ka lajme për shkurtime vendesh pune në koncernet e mëdha gjermane. Logjikisht duhet të shikonim një valë papunësie, po ajo nuk vërehet. Në fakt, tabloja e plotë duket ndryshe. Ka disa forca që vazhdojnë ta mbajnë ekonominë...

Korrik 25, 2026 - 13:30
Gjermania po ndryshon: Ku hapen vendet e reja të punës?
gjermania-po-ndryshon:-ku-hapen-vendet-e-reja-te-punes?

gjermania-po-ndryshon:-ku-hapen-vendet-e-reja-te-punes?

Thuajse çdo javë ka lajme për shkurtime vendesh pune në koncernet e mëdha gjermane. Logjikisht duhet të shikonim një valë papunësie, po ajo nuk vërehet. Në fakt, tabloja e plotë duket ndryshe. Ka disa forca që vazhdojnë ta mbajnë ekonominë gjermane në këmbë.

E para është baza fiskale solide: me një borxh publik prej rreth 63 për qind të PBB-së, Gjermania qëndron shumë poshtë mesatares së Eurozonës (88%) apo Francës e Italisë, ku borxhi kalon 100%.

Së dyti, Gjermania ka një fuqi punëtore shumë të kualifikuar dhe një rrjet universitetesh të lidhur ngushtë me ekonominë; edhe produktiviteti për orë pune mbetet ndër më të lartët në Evropë — mesatarja e eurozonës qëndron rreth 11 për qind më poshtë se Gjermania, sipas Institutit ekonomik IW Köln (2024).

Pastaj vijnë investimet, që pas katër vjetësh rënieje po forcohen sërish.

Por më interesantja është ajo që po ndodh pa bujë brenda tregut të punës. Në një vit të vetëm, industria humbi 185.000 vende pune — por: thuajse po aq vende të reja, rreth 181.000, u hapën në shëndetësi, në arsim e administratë, llogariti Instituti HRI. Gjermania po kthehet ngadalë në një shoqëri që rron më shumë nga shërbimet.

Edhe pse ekonomia po ristrukturohet, punësimi mbetet pothuajse i qëndrueshëm : 45.6 milionë të punësuar në 2026 — vetëm 157.000 më pak se një vit më parë — 45.62 milionë në 2027, ndërsa papunësia rritet lehtë në 3.01 milionë.

Sigurisht, shkurtimet janë të dhimbshme. Dhe papunësia e ulët nuk është vetëm shprehje force: ajo shpjegohet pjesërisht me pensionimet dhe me më pak konkurrentë nga BE për të njëjtat vende pune.

Mbështetja e tregut përmes konsumit vazhdon, sepse jo të gjithë preken nga krizat: nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë të shtetit konsumojnë thuajse njësoj, pasi të ardhurat i kanë pavarësisht nga konjunktura. Ndryshe është në sektorin privat, ku shkatërrohen ekzistenca dhe vende pune.

Gjermania nuk ndodhet para kolapsit. Ajo thjesht po kalon në një fazë të re zhvillimi.

Stanjacioni është real, por jo fundi i suksesit gjerman
Problemet janë të mëdha — këtë s’e mohon askush. Gjermania po përjeton stanjacionin ekonomik më të gjatë që nga viti 1949. S’kemi të bëjmë me një dobësim të çastit, por me disa shndërrime që e godasin Gjermaninë njëherësh, si rrallë vende të tjera, shkroi së fundi ekonomisti i njohur Bert Rürup.

Nga njëra anë, vala e madhe e globalizimit, ajo që e pasuroi vendin, ka ndaluar. Furnizimi me energji po vihet mbi baza të reja. Konkurrentët kinezë po forcohen. Popullsia po plaket dhe kjo e ngadalëson rritjen.

Njëkohësisht, vala e gjatë e punësimit, e nxitur nga reformat e viteve 2000 të kancelarit Gerhard Schröder (Agjenda 2010), ka arritur në fund. Shqetësuese janë edhe falimentimet, që arritën nivelin më të lartë në njëzet vjet — megjithëse edhe ato kanë një anë tjetër: kur firma joprodhuese dalin nga tregu, lirohet kapital e fuqi punëtore për sektorë më produktivë, sipas parimit të „shkatërrimit krijues”

Por më e ndjeshme është diçka tjetër: që nga viti 2022, eksporti nuk e luan njësoj rolin e lokomotivës për ekonominë gjermane. Gjermania eksporton më pak drejt SHBA, për shkak të barrierave doganore të vendosura nga Uashingtoni; dhe nga ana tjetër, Kina po i përmbyt tregjet me mallrat e veta.

Kur historia përdoret si paralajmërim

Në media dëgjohen krahasime me Republikën e Vajmarit (Weimar) — republikën demokratike të brishtë, që i hapi rrugën Hitlerit. Por ky krahasim, që e bëjnë edhe disa media gjermane, flet më shumë për nerva të tendosura sesa për gjendjen e vërtetë. Politologu i njohur Albrecht von Lucke kujtoi së fundi në këtë kuadër se asnjë brez gjermanësh nuk ka jetuar ndonjëherë kaq mirë sa ky i sotmi. Gjermania ndodhet në një nivel të lartë dhe ankesat që bën janë duke u nisur nga ky nivel. Pra problemi ndoshta është diku tjetër.

Njerëzit u mësuan të mendonin se rehatia e mirëqenia do të vazhdonin pa fund, si thuajse në tridhjetë vitet e fundit, do të vazhdonin edhe pa investuar sa duhej në të ardhmen; si atëherë kur Gjermania mbështetej te gazi i lirë rus dhe te eksportet e saj.

Por kohët ndryshojnë. Ndërsa Republika e Vajmarit ishte një republikë sapodalë nga Lufta e Parë Botërore, me një shoqëri mjaft të militarizuar, në prag të luftës civile. Krahasuar me atë kohë, përçarjet e sotme janë të vogla.

Pse rritet pasiguria në një shoqëri të begatë

Sondazhet e opinionit tregojnë përgjithësisht një shoqëri pesimiste. Por sondazhet regjistrojnë gjendjen e çastit. Politologia dhe studiuesja e njohur e së ardhmes, Florence Gaub shpjegoi në media, se po të shohësh më thellë, në studimet për shoqërinë gjermane, del në pah se kohezioni social ekziston: shtatëdhjetë për qind e gjermanëve kanë besim te bashkatdhetarët e tyre — po aq sa kanë te njëri-tjetri p.sh., finlandezët, ata që mbahen si populli më i lumtur në botë.

Pse rritet pasiguria në një shoqëri të begatë

Nga njëra anë, sepse harrohet se konfliktet janë pjesë e natyrshme e demokracisë, kujton Gaub; e kur ato shtohen shumë, e gjithë jeta na duket si krizë pa fund.

Nga ana tjetër, në shoqëritë perëndimore është përhapur një ndjenjë ngopjeje materiale, që shtron pyetjen edhe më të thellë: çfarë do të thotë sot të ecësh përpara?

Përparimi, tradicionalisht, është kuptuar kryesisht si përparim ekonomik — pra si shtim i pasurisë materiale. Një pjesë e njerëzve, që nuk e kanë arritur këtë, vazhdojnë ta kërkojnë; por një pjesë tjetër, sidomos të rinjtë, kërkojnë diçka krejt tjetër: që të kenë kohë për të jetuar si dëshirojnë vetë, në vend që të akumulojnë pasuri materiale. Për shumë njerëz, sidomos pas pandemisë së Covid-19, koha personale po bëhet forma më e rëndësishme e pasurisë.

Mes reformave, investimeve dhe përgjegjësisë
Shndërrimet e përmendura ende s’kanë një karakterizim të prerë. Ajo që është e qartë është se marrëdhënia jonë me realitetin po ndryshon, edhe për shkak të inteligjencës artificiale. Por se ku do të çojë ky ndryshim ende nuk është plotësisht e qartë. Disa flasin për një boshllëk konceptual. Dhe pikërisht ky boshllëk prodhon pasiguri — dhe i bën disa njerëz që të votojnë për ekstremet (të cilat premtojnë ta kthejnë pas gjithçka, si ka qenë): për partinë ultra të djathtë AfD, ose për partinë “E Majta”.

Qeveria e kancelarit Friedrich Merz, nga ana e vet, së fundi miratoi disa reforma të nevojshme. Një nga ekonomistët me ndikim në Gjermani, Marcel Fratzscher i tha DW-së se reformat në shëndetësi, në pensione e në tatime ecin në drejtimin e duhur — ndonëse nuk riparojnë asnjë nga ndarjet. Një shtysë më e madhe janë pesëqind miliardë eurot investime publike gjatë dymbëdhjetë vjetëve, për të cilat ra dakord qeveria Merz ditët e ardhjes në pushtet; por çështja mbetet sa prej tyre do të investohen — dhe sa shpejt.

Fratzscher bën thirrje që të hiqet dorë nga zakoni i pasimit të përgjegjësisë; kompanitë, degët e industrisë, partitë duhet të përballen sot me përgjegjësinë e tyre. Se mund të bëhet edhe ndryshe e tregon “Made for Germany” — një nismë e koncerneve të mëdha si Siemens dhe Deutsche Bank, që premtuan dhe nisën plot një vit më parë të investojnë deri në 631 miliardë euro deri në vitin 2028 në Gjermani. Në fund, e ardhmja vendoset pikërisht nga guximi, jo thjesht nga shifrat./DW


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.