Gjykata e Apelit rrëzon dënimet në rastin e veteranëve – Agim Çeku dhe nëntë të tjerë lirohen nga akuza
Gjykata e Apelit e Kosovës ka bërë një kthesë të madhe në rastin e njohur të veteranëve, duke ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe duke liruar nga akuza Agim Çekun dhe nëntë të akuzuar të tjerë, të cilët në shkallën e...


Gjykata e Apelit e Kosovës ka bërë një kthesë të madhe në rastin e njohur të veteranëve, duke ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe duke liruar nga akuza Agim Çekun dhe nëntë të akuzuar të tjerë, të cilët në shkallën e parë ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me nga një vit burgim.
Aktgjykimi i Apelit është marrë në çështjen penale ndaj Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjahës, Shkumbin Demaliajt, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut, Rrustem Berishës, Faik Fazliut, Smajl Elezajt, Fadil Shurdhajt dhe Xhavit Jasharit, të akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.
Kolegji penal i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, i përbërë nga Mentor Bajraktari, kryetar, si dhe Valon Kurtaj e Vaton Durguti, anëtarë, ka aprovuar ankesat e mbrojtjes dhe ka ndryshuar aktgjykimin e 12 shtatorit 2025 të Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Me vendimin e ri, nga akuza janë liruar Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Apeli ka konstatuar se nuk është provuar se ata e kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar.
Ky vendim ndryshon rezultatin e shkallës së parë, e cila dhjetë të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë dhe secilit i kishte shqiptuar nga një vit burgim.
Përveç dënimit me burgim, Themelorja i kishte obliguar ata të paguanin nga 200 euro për shpenzimet e procedurës penale dhe nga 50 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Me aktgjykimin e shkallës së parë, Qeveria e Kosovës ishte obliguar gjithashtu të formonte komisionet përkatëse për rishqyrtimin në procedurë administrative të listës së personave të përfshirë në shtojcën e aktakuzës, brenda një viti pasi aktgjykimi të merrte formën e prerë.
Ndryshe nga dhjetë të tjerët, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj ishin liruar nga akuza që në shkallën e parë, pasi Themelorja kishte konstatuar se nuk ishte provuar se kishin kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin.
Prokuroria kërkonte të kundërtën – dënime më të larta
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të Themelores.
PSRK kërkonte që Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj të shpalleshin fajtorë dhe të dënoheshin, ndërsa për të akuzuarit që ishin dënuar me nga një vit burgim kërkonte shqiptimin e dënimeve më të larta.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, shkalla e parë kishte vërtetuar drejt fajësinë e të dënuarve, por dënimet e shqiptuara ndaj tyre ishin tepër të buta në raport me peshën e veprës penale dhe dëmin që pretendohej se i ishte shkaktuar buxhetit të Kosovës.
Megjithatë, Apeli ka ardhur në përfundim tjetër.
Ankesa e Prokurorisë Speciale lidhur me pjesën liruese është refuzuar si e pabazuar, ndërsa vendimi lirues për Nuredin Lushtakun dhe Smajl Elezajn është vërtetuar.
Ndërkohë, kërkesa e Prokurorisë për dënime më të larta ndaj të tjerëve ka mbetur pa objekt, pasi Apeli ka nxjerrë aktgjykim lirues ndaj tyre.
Për çfarë akuzoheshin?
Rasti lidhet me procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të veteranëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas akuzës, të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë dhe anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës, pretendoheshin se kishin shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, nuk kishin përmbushur detyrat e tyre dhe kishin tejkaluar kompetencat.
Prokuroria pretendonte se përmes këtij procesi u ishte mundësuar personave të tjerë që në mënyrë të kundërligjshme të përfitonin statusin e veteranit luftëtar.
Në aktgjykim përshkruhet pretendimi i akuzës se në listat e veteranëve luftëtarë ishin përfshirë edhe persona që, sipas Prokurorisë, u përkisnin kategorive të tjera, përfshirë persona të angazhuar në mbështetje politike, logjistike, financiare apo shërbime mjekësore, si dhe kategori të tjera të përshkruara në aktakuzë.
Prokuroria pretendonte gjithashtu se të akuzuarit kishin qenë të informuar për devijime dhe parregullsi gjatë procesit, por megjithatë kishin vazhduar me procesin e njohjes dhe verifikimit.
Një tjetër pretendim i akuzës lidhej me procedurën e shqyrtimit të ankesave, ku pretendohej se personat që kishin bërë verifikimin në fazën e parë ishin përfshirë sërish në shqyrtimin e tyre.
Po ashtu, sipas akuzës, shpërndarja e certifikatave të veteranëve kishte filluar para përfundimit të procesit të ankesave dhe para miratimit të listave përfundimtare.
Prokuroria pretendonte se si pasojë e procesit të kontestuar, buxhetit të Republikës së Kosovës i ishte shkaktuar dëm në vlerë prej dhjetëra milionë eurosh gjatë periudhës së përshkruar në aktakuzë.
Mbrojtja kundërshtoi mënyrën se si ishte vërtetuar përgjegjësia
Mbrojtësit e të akuzuarve kishin paraqitur një varg kundërshtimesh ndaj aktgjykimit dënues të shkallës së parë, duke pretenduar shkelje procedurale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetim të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.
Në mbrojtjen e Agim Çekut, ndër të tjera, ishte kundërshtuar pretendimi se përgjegjësia për verifikimin individual të aplikacioneve binte mbi Komisionin Qeveritar.
Mbrojtja pretendonte se procesi i verifikimit ishte zhvilluar në terren përmes zinxhirit komandues të zonave operative dhe se listat ishin përgatitur e verifikuar nga strukturat përkatëse.
Sipas mbrojtjes, nuk ishte provuar me prova se Çeku kishte votuar me vetëdije për regjistrimin e personave që nuk i plotësonin kriteret, se kishte njohuri individuale për secilin aplikues apo se kishte vepruar me dashje për t’ua mundësuar personave të tjerë përfitimin e kundërligjshëm të statusit.
Mbrojtja kishte kundërshtuar edhe konstatimin për bashkëkryerje, duke pretenduar se ndërmjet anëtarëve të Komisionit kishte pasur mospajtime dhe se secili kishte përgjegjësi për zonën që përfaqësonte.
Edhe mbrojtja e Sadik Halitjahës kishte ngritur çështjen e përgjegjësisë individuale, duke argumentuar se shkalla e parë nuk kishte përcaktuar konkretisht cilat detyra dhe kompetenca zyrtare ishin tejkaluar prej tij.
Mbrojtësit e disa prej të akuzuarve kishin ngritur para Apelit edhe pretendimin për parashkrim absolut të ndjekjes penale.
Apeli: Nuk është provuar kryerja e veprës penale
Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, pretendimeve të Prokurorisë dhe ankesave të mbrojtjes, Kolegji penal i Apelit ka vendosur ta ndryshojë pjesën dënuese të aktgjykimit të Themelores.
Në vend të dënimeve me nga një vit burgim, Apeli ka nxjerrë aktgjykim lirues për dhjetë të akuzuarit, me arsyetimin se nuk është provuar se ata e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.
Kështu, Agim Çeku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari janë liruar nga akuza.
Në të njëjtën kohë, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj mbeten të liruar nga akuza, pasi Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale kundër vendimit lirues të Themelores.
Shpenzimet e procedurës penale për të liruarit nga akuza bien në barrë të mjeteve buxhetore.
Ndërsa Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në cilësinë e palës së dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil-juridik.
Aktgjykimi i Apelit mban datën 9 shtator 2026, ndërsa seanca e Kolegjit ishte mbajtur më 27 korrik 2026.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.