Gjykata e Tetovës mori vendim se kryetar i Aleancës për Shqiptarët është Ziadin Sela dhe vulat i takojnë partisë që ai e udhëheq
Gjykata Themelore në Tetovë shpalosi vendimin se kryetari i Aleancës për Shqiptarët është Ziadin Sela dhe vulat e partisë i takojnë partisë që ai e udhëheq. Në vendimin e gjykatës thuhet se pranohet kërkesa për ndërrimin e kryetarit të partisë, respektivisht nga Arben Taravari, te Ziadin Sela. Krahu i Taravarit, sipas vendimit, ka të drejtë […]


Gjykata Themelore në Tetovë shpalosi vendimin se kryetari i Aleancës për Shqiptarët është Ziadin Sela dhe vulat e partisë i takojnë partisë që ai e udhëheq. Në vendimin e gjykatës thuhet se pranohet kërkesa për ndërrimin e kryetarit të partisë, respektivisht nga Arben Taravari, te Ziadin Sela. Krahu i Taravarit, sipas vendimit, ka të drejtë në afat kohor prej 15 ditëve që ta ankimojë vendimin në Gjykatës, shkruan Portalb.mk.
“Kërkesa për ta regjistruar ndryshimin e kryetarit të partisë politike Aleanca për Shqiptarët me seli në Tetovë, në rrugën ‘V.S. Bato’ nr.1 PRANOHET. Kështu që, në regjistrin gjyqësor të partive politike shënohet se kryetar i partisë Ziadin Sela nga Struga në vend të kryetarit të deritashëm Arben Taravari nga Gostivari”, thuhet mes tjerash në vendimin e Gjykatës Themelore në Tetovë. Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës, thuhet se në pajtim me Statutin e partisë dhe ligjeve në fuqi, Këshilli drejtues i partisë është organi që definon strategjitë politike të partisë, përgatit dhe i vë kornizat politike si organ më i lartë politik.
“Gjykata vlerëson se sipas nenit 47 të Statutit të partisë, ku është e definuar se kryetarin e partisë e shkarkon Kongresi me 2/3 e delegatëve të Kongresit, si dhe e ka pranuar propozim-shkarkimin e Arben Taravarit nga detyra kryetari i Aleancës për Shqiptarët. Gjithashtu, në pajtim me nenin 53 të Statutit, është theksuar se në të njëjtën mbledhje të Kongres, është rizgjedh kryetar i ri i partisë në pajtim edhe me nenin 46, gjë që janë respektuar normat e Statutit në Kongresin e 4 të jashtëzakonshëm, ku edhe është zgjedhur për kryetar të ri Ziadin Sela nga Struga”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Në arsyetim thuhet se Gjykata e ka refuzuar kërkesën e datës 19 shkurt 2024 të Aleancës për Shqiptarët e shënuar me kryetar Arben Taravari, pasi siç thuhet në vendimin e Gjykatës, Ligji për partitë politike, konkretisht neni 27 nuk lejon tërheqje të tërësishme të Statutit siç kërkoi ASH e Taravarit. Konkretisht, siç thuhet në vendimin gjyqësor, ASH e Taravarit kishte kërkuar që të hidhet poshtë Kongresi i 4 i jashtëzakonshëm i grupit të Ziadin Selës, ndërsa të merret parasysh Statuti i Kongresit të 2 të partisë.
“Kërkesa e ASH-Taravari që të merret parasysh Statuti i 27 marsit 2022 në Kongresin e 2 të rregullt hidhet poshtë, pasi deri në ditën e vendimit, është marrë parasysh Statutit të Kongresit të 3, të mbajtur më 24 dhjetor 2022. Duke patur parasysh faktet e mësipërme, vlerësojmë se kërkesa dhe argumentet e ASH-Sela janë në pajtim me ligjet në fuqi”, thuhet në fund të vendimit të Gjykatës Themelore të Tetovës.
Për këtë vendim ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët krahu i Taravarit, Blerant Ramadani. Ai ka shkruar se ky vendim, i bazuar në interpretime të njëanshme dhe të shtrembëruara të provave, nuk pasqyron realitetin e procesit demokratik dhe të vërtetën që ne e kemi dëshmuar me dokumente autentike e të noterizuara.
“Arben Taravari është dhe do të mbetet kryetari legjitim i Aleancës për Shqiptarët, një fakt i pamohueshëm dhe i mbështetur nga shumica absolute e anëtarëve të partisë sonë. Ne kemi besim të plotë te drejtësia dhe te Gjykata e Apelit si instanca e fundit gjyqësore për këtë çështje. Jemi të bindur se ky institucion do të respektojë ligjin, të vërtetën dhe vullnetin e anëtarësisë sonë duke vulosur përfundimisht të drejtën e Arben Taravarit si udhëheqës legjitim i Aleancës për Shqiptarët”, ka shkruar ai.
“Drejtësia vonon, por kurrë nuk harron”, shkruan Ramadani.
Kujtojmë se partia Aleanca për Shqiptarët vijon të jetë e ndarë në dy grupe, të dyja thirren se ata janë Aleanca e vërtetë ndërsa procesi gjyqësor për vulat e partisë ka vijuar gjatë vitit 2024.
Arben Taravari dhe Ziadin Sela hyrën në konflikt të hapur për koalicionin parazgjedhor me opozitën shqiptare në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024.
Me këtë Aleanca për Shqiptarët u përça në dy fronte.
Në krahun e Taravarit i cili në zgjedhje shkoi bashkë me opozitën shqiptare si koalicioni VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa Lidhja Demokratike).
Kurse krahu i Ziadin Selës në zgjedhje garoi me “Frontin Evropian” (Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja Populli, Partia Demokratike Evropiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak).
Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian.
- LEXO: Një Aleancë për Shqiptarët, dy fronte: Procesi për vulat ende në gjykatë, dy grupet në “luftë” me njëra tjetrën
- LEXO: Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim lëndën për vulat e Aleancës për Shqiptarët
- LEXO: Një Aleancë për Shqiptarët me dy fronte dhe një vendim gjykate: Vijuan përplasjet midis dy grupeve