Gostivari mes vizionit urban dhe premtimeve për rregull bazik – Çfarë ofrojnë Valbon Limani dhe Nevzat Bejta?

Gara për drejtimin e Komunës së Gostivarit po zhvillohet mes dy vizioneve të dallueshme për zhvillimin e qytetit. Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Valbon Limani, ka shpalosur një The post Gostivari mes vizionit urban dhe premtimeve për rregull bazik – Çfarë ofrojnë Valbon Limani dhe Nevzat Bejta? appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

dhjetor 27, 2025 - 11:30
 0
Gostivari mes vizionit urban dhe premtimeve për rregull bazik – Çfarë ofrojnë Valbon Limani dhe Nevzat Bejta?

Gara për drejtimin e Komunës së Gostivarit po zhvillohet mes dy vizioneve të dallueshme për zhvillimin e qytetit. Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Valbon Limani, ka shpalosur një platformë të bazuar në projekte kapitale me ndikim afatgjatë, të cilat synojnë transformimin rrënjësor të pamjes urbane dhe funksionalitetit të qytetit.

Gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Debat në SHENJA”, Limani theksoi se Komuna e Gostivarit ka realizuar dhjetëra projekte, por u ndal veçanërisht te katër projekte madhore që, sipas tij, do ta ndryshojnë Gostivarin për dekadat e ardhshme. Ndërtimi i urës së re pranë gjykatës, me katër korsi për automjete, dy korsi për biçikleta dhe dy për këmbësorë, u cilësua si një nga investimet më strategjike për lehtësimin e komunikacionit dhe rritjen e sigurisë.

Në fokus të Limanit është edhe zgjerimi i bulevardit “Vëllezërit Gjinovci”, i konsideruar si arteria kryesore e qytetit, si dhe ndërtimi i parkingjeve kryesore në afërsi të objektit të Komunës, që pritet të zgjidhin një nga problemet më të mëdha urbane – mungesën e hapësirave për parkim. Si projekti me peshën më të madhe financiare, Limani veçoi ndërtimin e sheshit të ri të qytetit, i cili parashihet të realizohet me nënkalime dhe parkingje nëntokësore, duke e cilësuar këtë investim si simbol të modernizimit të Gostivarit.

Sipas tij, këto projekte nuk janë premtime elektorale, por pjesë e një vizioni të qartë për zhvillim të qëndrueshëm urban dhe për ta shndërruar Gostivarin në një qytet funksional dhe bashkëkohor.

Në anën tjetër, kandidati i koalicionit VLEN, Nevzat Bejta, në paraqitjet e tij televizive ka vënë theksin te nevojat bazike dhe ndërhyrjet urgjente në qytet. Ai ka paralajmëruar përmirësimin e infrastrukturës rrugore përmes mbushjes së gropave, rregullimit të asfaltit sipas standardeve bashkëkohore dhe hapjes së bulevardeve me dy korsi.

Bejta ka përmendur gjithashtu ndërtimin e një ure të re me dy korsi mbi lumin Vardar dhe hapjen e rrugës nga Forina drejt Gostivarit, me qëllim lehtësimin e komunikacionit në fshatin Çajle. Sipas tij, prioritet absolut do të jetë edhe rritja e nivelit të higjienës në qytet, duke e cilësuar gjendjen aktuale si shqetësuese.

Kështu, zgjedhjet në Gostivar po pozicionohen si një përballje mes projekteve kapitale dhe vizionit afatgjatë të Valbon Limanit, përballë një qasjeje të fokusuar në rregullimin e problemeve bazike të përditshmërisë, të ofruar nga Nevzat Bejta. Vendimi për drejtimin e ardhshëm të qytetit mbetet në duart e qytetarëve. Gazeta Flaka

The post Gostivari mes vizionit urban dhe premtimeve për rregull bazik – Çfarë ofrojnë Valbon Limani dhe Nevzat Bejta? appeared first on Flaka, në çdo lajm... .