Gruda: Kushtetuesja e Hagës s’mund ta shfuqizojë ligjin për Specialen pasi të miratohet, ia kemi hequr kompetencën
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar lidhur me projektligjin për Specialen, duke thënë mes tjerash se, ‘’ ndryshimet që kemi propozuar në ligj, Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese i është hequr sh...


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar lidhur me projektligjin për Specialen, duke thënë mes tjerash se, ‘’ ndryshimet që kemi propozuar në ligj, Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese i është hequr shprehimisht kompetenca për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit, në çfarëdo forme’’.
Gruda, tutje, ka shtuar edhe se, Dhoma Kushtetuese në Hagë nuk do të ketë juridiksion për ta kontrolluar apo shfuqizuar këtë ligj, dhe se ajo nuk është një Gjykatë Kushtetuese e veçantë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por një Dhomë e Specializuar me juridiksion të posaçëm.
Postimi:
Po shoh shumë reagime lidhur me mundësinë që, pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, ligji të dërgohet në Dhomën e Specializuar Kushtetuese në Hagë dhe eventualisht të shfuqizohet.
Po e sqaroj: me ndryshimet që kemi propozuar në ligj, Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese i është hequr shprehimisht kompetenca për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit, në çfarëdo forme.
Amendamenti nr. 24 i Kushtetutës përcakton:
“Një Dhomë e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga tre (3) gjyqtarë ndërkombëtarë të emëruar shtesë krahas gjyqtarëve të referuar sipas Nenit 114 (1), do të vendosë ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese sipas Nenit 113 të Kushtetutës në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me ligjin e veçantë.”
Pra, vetë dispozita kushtetuese e lidh ushtrimin e këtij juridiksioni me ligjin e veçantë.
Pikërisht mbi këtë bazë, me nenin 23 të projektligjit tonë e kemi përcaktuar shprehimisht kufirin e juridiksionit të Dhomës Kushtetuese në Hagë. Neni 23 përcakton se ajo vendos vetëm për referimet kushtetuese që burojnë nga vendimet, urdhrat ose aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Më tej, dispozita thotë shprehimisht se ajo “nuk ka juridiksion për kontrollin abstrakt (paraprak), konkret dhe incidental të kushtetutshmërisë së ligjeve ose Ligjit Nr. 05/L-053”.
Madje, për ta bërë çështjen krejtësisht të qartë, në nenin 23 kemi përcaktuar se kontrolli i kushtetutshmërisë së këtij ligji, si dhe i ligjeve me të cilat ndryshohet, plotësohet ose shfuqizohet Ligji Nr. 05/L-053, ushtrohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë, në pajtim me nenin 113 të Kushtetutës.
Prandaj, sipas ndryshimeve të propozuara, Dhoma Kushtetuese në Hagë nuk do të ketë juridiksion për ta kontrolluar apo shfuqizuar këtë ligj. Ajo nuk është një Gjykatë Kushtetuese e veçantë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por një Dhomë e Specializuar me juridiksion të posaçëm. Kontrolli kushtetues i akteve të Kuvendit, përfshirë këto ndryshime ligjore, i mbetet Gjykatës Kushtetuese në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.