Heshtje për incidentin e ambasadorit të Maqedonisë në Moskë

Heshtje totale nga institucionet për ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Moskë i cili ditë më parë shkaktoi incident duke vozitur në gjendje të dehur. Alsat dërgoi pyetje zyrtare deri te ambasada e Maqedonisë së Veriut në Moskë për të sqaruar incidentin dhe për të treguar versionin e tyre por nga atje nuk morëm asnjë […]

Prill 13, 2026 - 15:00
Heshtje për incidentin e ambasadorit të Maqedonisë në Moskë

Heshtje totale nga institucionet për ambasadorin e Maqedonisë së Veriut në Moskë i cili ditë më parë shkaktoi incident duke vozitur në gjendje të dehur. Alsat dërgoi pyetje zyrtare deri te ambasada e Maqedonisë së Veriut në Moskë për të sqaruar incidentin dhe për të treguar versionin e tyre por nga atje nuk morëm asnjë sqarim.

Detaje për momentin nuk japin as nga Ministria e Punëve të Jashtme. Nga atje ditë më parë thjeshtë na njoftuan se po punojnë për të verifikuar të gjitha faktet dhe do të njoftojnë se çfarë hapash do të ndërmarrin. I pyetur për incidentin edhe kryeministri Hristijan Mickoski ditë më parë tha se nuk ishte në dijeni dhe nuk kishte detaje.

Mediat ruse, duke cituar portalin serb “Pravda” kanë raportuar se Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Rusi Nenad Kolev ka shkaktuar një aksident trafiku në Moskë me një automjet zyrtar nën ndikimin e alkoolit. Shkrimi, me titull “Diplomacia e dehur”, ndër të tjera, përfshin foto nga kamerat e sigurisë, të cilat, sipas autorit, tregojnë Kolevin duke u lëkundur, pastaj duke hipur në një makinë me targa diplomatike dhe duke shkaktuar një incident.

Nenad Kolev i cili në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka kryer detyra të ndryshme që nga viti 1997, është emëruar si ambasador në Moskë në vitin 2023./Alsat.mk.