Popullsia po plaket, është i paqëndrueshëm transferimi i parave nga buxheti për pensione
Enti Shtetëror i Revizionit paralajmëron për paqëndrueshmëri të sistemit pensional, për shkak se po rritet numri i pensionistëve, ndërsa po bie fluksi i kontributeve në fondin pensional. Kjo theksohet në raportin e fundit të revizorëve, i cili bazohet në ndryshimet demografike në vend, përkatësisht në plakjen gjithnjë e më të madhe të popullsisë. ENTI SHTETËROR […]
Enti Shtetëror i Revizionit paralajmëron për paqëndrueshmëri të sistemit pensional, për shkak se po rritet numri i pensionistëve, ndërsa po bie fluksi i kontributeve në fondin pensional. Kjo theksohet në raportin e fundit të revizorëve, i cili bazohet në ndryshimet demografike në vend, përkatësisht në plakjen gjithnjë e më të madhe të popullsisë.
ENTI SHTETËROR I REVIZIONIT:
Edhe pse sistemi pensional i ndërtuar në tre shtylla siguron pagesë të rregullt të pensioneve, qëndrueshmëria e tij reale është e dëmtuar për shkak të trendeve të pafavorshme demografike, normës së ulët të kontributeve, si dhe rritjeve të pensioneve që nuk bazohen në rritjen e pagave dhe kontributeve. Edhe pse pensionet paguhen me kohë, kjo arrihet përmes rritjes së transfereve nga buxheti dhe shtyrjes së reformave të nevojshme strukturore.
Raporti thekson gjithashtu se shtylla e parë e sistemit pensional, e organizuar mbi bazë solidariteti, vazhdimisht operon me bilanc financiar negativ. Shpenzimet për pensione tejkalojnë të ardhurat nga kontributet, ndërsa vrima në fondin pensional mbulohet me transferim të mjeteve nga Buxheti, që arrijnë edhe mbi 690 milionë euro. Barrë shtesë janë edhe rritjet lineare që nuk janë në përputhje me rritjen e pagave.
ENTI SHTETËROR I REVIZIONIT:
Gjatë viteve 2024 dhe 2025, niveli i pensioneve është rritur disa herë në mënyrë lineare, gjë që nuk është shoqëruar me rritje të pagave të të siguruarve dhe as me rritje të numrit të kontribuuesve. Në mungesë të reformave me kohë dhe efektive, transfertat nga buxheti për shtyllën e parë pensonale mund të arrijnë në 7.4% të BPV-së në vitin 2057, gjë që do të sjellë ngarkesë serioze për buxhetin qendror.
Sipas projeksioneve demografike, në 30 vitet e ardhshme pritet që pjesëmarrja e personave mbi 65 vjeç të rritet në mbi 34%, ndërsa popullsia në moshë pune do të zvogëlohet për pothuajse gjysmë milioni persona, gjë që do të rrisë edhe më shumë presionet mbi financat publike. Si arsye kryesore përmendet nataliteti i ulët, e veçanërisht emigrimi i të rinjve.