Inteligjenca estoneze: Rusia nuk po planifikon aktualisht sulm ndaj NATO-s
Shefi i inteligjencës së jashtme të Estonisë, Kaupo Rosin tha se aktualisht nuk ka asnjë tregues se Rusia synon të sulmojë ndonjë nga vendet baltike ose NATO-n “në shkallë më të gjerë” Në një intervistë për transmetuesin publik të Estonisë ERR, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme estoneze, Rosin tha se “Ajo […]
Shefi i inteligjencës së jashtme të Estonisë, Kaupo Rosin tha se aktualisht nuk ka asnjë tregues se Rusia synon të sulmojë ndonjë nga vendet baltike ose NATO-n “në shkallë më të gjerë”
Në një intervistë për transmetuesin publik të Estonisë ERR, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme estoneze, Rosin tha se “Ajo që po shohim ende sot është se Rusia aktualisht nuk ka ndërmend të sulmojë asnjë nga shtetet baltike ose NATO-n në shkallë më të gjerë”.
Ai tha se detyra e Estonisë ishte të siguronte që situata “të mbetej e tillë”, duke vënë në dukje se Rusia e ka përshtatur sjelljen e saj pas përgjigjeve perëndimore dhe të NATO-s ndaj incidenteve të fundit në rajon.
“Deri më tani është ende e qartë se Rusia e respekton NATO-n dhe aktualisht po përpiqet të shmang çdo konflikt të hapur”, tha Rosin. Ai vuri në dukje një sërë incidentesh gjatë vitit të kaluar, përfshirë dëmtimin e kabllove nënujore, ndërhyrjet me dronë në hapësirën ajrore të NATO-s dhe shkeljet e avionëve.
Sipas tij, reagimi i Rusisë ndaj përgjigjeve të NATO-s sugjeron një dëshirë për të parandaluar përshkallëzimin.
“Pas incidenteve të ndryshme, duke filluar me kabllot nënujore disa kohë më parë ose ndërhyrjet e ndryshme me dronë në hapësirën ajrore të NATO-s ose shkeljet e avionëve, ajo që kemi parë është se në përgjigje të reagimeve nga Perëndimi ose NATO, Rusia ka marrë masa të ndryshme për të parandaluar që incidente të tilla të ndodhin përsëri në të ardhmen”, tha ai.
Shefi i inteligjencës shtoi se rrugët e fluturimit të dronëve mbi Ukrainë janë rregulluar për të minimizuar rrezikun ndërsa avionët rusë mbi Detin Baltik tani “po monitorojnë me shumë kujdes rrugët e tyre të fluturimi për të shmangur shkaktimin e incidenteve”.
Rosin tha se nuk ka pasur incidente të reja lidhur me kabllot që kur NATO nisi misionin e saj Baltik Sentry në rajon. Ai paralajmëroi se rreziqet mbeten të larta për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm ushtarak dhe luftës në Ukrainë. “Në teori, ngjarje të tilla janë ende të mundshme, por për momentin nuk shohim ndonjë tregues se Rusia po përpiqet qëllimisht të përshkallëzojë situatën”, shtoi Rosin.
Lidhur me shqetësimet për “flotën në hije” të cisternave të naftës të Rusisë, Rosin tha se interesi kryesor i Moskës ishte ruajtja e lirisë së lëvizjes në Detin Baltik për të mbrojtur të ardhurat jetësore nga nafta. Ai vuri në dukje se veprimet perëndimore, përfshirë një operacion francez për të hipur në një tanker, treguan se flota “nuk ishte plotësisht e paprekshme”.
Rosin thotë se një zgjidhje paqeje në Ukrainë që nuk përbënte qartë humbje të Rusisë mund të rriste rreziqet për rajonin.
“Ka të ngjarë që kjo të rrisë rreziqet për ne, veçanërisht nëse Rusia bëhet më e sigurt dhe e guximshme. Kjo është sigurisht pikë shqetësuese. Edhe nëse shfaqet një lloj armëpushimi, marrëveshjeje paqeje ose konflikti i ngrirë, nëse shkon kaq larg, Rusia do të duhet të mbajë ende prani të konsiderueshme ushtarake kundër Ukrainës, e cila do të vazhdonte të kufizonte burimet e saj”, tha ai.