Iseni: Interesimi i shqiptarëve për Shkollën e Policisë “7 Maji” ka qenë i ulët

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni ka reaguar ndaj kritikave të opozitës për përfaqësimin e shqiptarëve në Shkollën e Mesme Policore “7 Maji”, përcjell TV21. Iseni nuk tregon se sa kandidatë shqiptarë ka pasur në konkurs, ...

gusht 28, 2026 - 13:30
Iseni: Interesimi i shqiptarëve për Shkollën e Policisë “7 Maji” ka qenë i ulët

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni ka reaguar ndaj kritikave të opozitës për përfaqësimin e shqiptarëve në Shkollën e Mesme Policore “7 Maji”, përcjell TV21. Iseni nuk tregon se sa kandidatë shqiptarë ka pasur në konkurs, por thotë se numri i kandidatëve shqiptarë të interesuar ka qenë shumë i ulët.

“Çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sigurisë është përgjegjësi që e marrim seriozisht. Për këtë arsye, çdo proces që ndikon në përfaqësimin e shqiptarëve duhet të trajtohet me transparencë, përgjegjësi dhe mbi bazën e fakteve, e jo të shfrytëzohet për përfitime politike. Pas 26 vitesh, Akademia Policore po rikthehet. Që nga fillimi, ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme që sa më shumë të rinj shqiptarë të aplikojnë dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Por sot duhet të flasim me fakte, jo me propagandë. Interesimi i shqiptarëve për këtë konkurs nuk ka qenë afër pritshmërive tona. Edhe nga ata që kanë aplikuar, një numër nuk janë paraqitur në fazën e testimit, duke u tërhequr faktikisht nga gara. Prandaj, është e pandershme politikisht të thuhet se shqiptarët janë “përjashtuar”, pa treguar sa kanë aplikuar, sa kanë vazhduar procesin dhe sa kanë plotësuar kriteret e përcaktuara. Ne nuk do të lejojmë që një proces institucional të shfrytëzohet për të krijuar ndjenjën e përjashtimit te qytetari shqiptarë. Luftojmë për përfaqësim real, mundësi të barabarta dhe qasje të drejtë në çdo institucion. BDI-së i them: Mos e përdorni interesin e shqiptarëve për politikë ditor”, ka shkruar Iseni.

Ndryshe, opozita thotë se nga gjithsej 310 nxënës të pranuar në këtë shkollë, vetëm 9 janë shqiptarë, që përbën më pak se 3 për qind./tv21.tv


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.