Kaçaniku tejkalon buxhetin e planifikuar për pelet për 53 mijë euro – 330 tonë kushtojnë mbi 131 mijë euro

Komuna e Kaçanikut do të furnizohet me 330 tonë pelet për nevojat e shkollave dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), përmes një kontrate në vlerë prej 131,010 eurosh. Kjo shumë është dukshëm më e lartë se buxheti i parashikuar ...

tetor 22, 2026 - 14:30
Kaçaniku tejkalon buxhetin e planifikuar për pelet për 53 mijë euro – 330 tonë kushtojnë mbi 131 mijë euro

Komuna e Kaçanikut do të furnizohet me 330 tonë pelet për nevojat e shkollave dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), përmes një kontrate në vlerë prej 131,010 eurosh. Kjo shumë është dukshëm më e lartë se buxheti i parashikuar për këtë furnizim, i cili ishte 78 mijë euro.

Sipas njoftimit zyrtar për nënshkrimin e kontratës, të përgatitur më 21 tetor 2026, Komuna e Kaçanikut ka nënshkruar kontratën për furnizim me lëndë djegëse – pelet, me operatorin ekonomik NTSH “Dardani” nga Kaçaniku.

Nga njoftimi për dhënien e kontratës shihet se vlera e parashikuar për këtë kontratë ishte 78,000 euro, ndërsa vlera përfundimtare e kontratës së nënshkruar më 15 tetor 2026 është 131,010 euro, raporton ORAinfo.

Diferenca mes shumës së planifikuar dhe vlerës së kontratës është 53,010 euro, ose rreth 68 për qind më shumë se buxheti i parashikuar.

Pra, për çdo ton pelet, komuna do të paguajë mesatarisht rreth 397 euro, bazuar në vlerën totale të kontratës.

Vetëm një tender i përgjegjshëm

Një tjetër e dhënë që bie në sy në dokumentin e prokurimit është se në këtë aktivitet ishin pranuar gjithsej tetë tenderë, por vetëm njëri prej tyre ishte vlerësuar si i përgjegjshëm.

Kontrata ka kohëzgjatje prej 24 muajsh dhe furnizimi është paraparë për shkollat dhe QKMF-në në Kaçanik.

Mbetet e rëndësishme që dallimi prej 53,010 eurosh ndërmjet vlerës së planifikuar dhe asaj të kontraktuar të sqarohet nga komuna, në mënyrë që publiku të informohet se cilët faktorë kanë ndikuar në këtë rritje të kostos. /ORAinfo/


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.